Sociale

Shqiptarët, mes Tiranës dhe qyteteve bregdetare/ Vetëm tre qarqe me shtesë pozitive, pjesa tjetër po “tkurren”

0

Migrimi i brendshëm është një fenomen shoqëror përmes të cilit njerëzit  zhvendosen nga vendi i tyre i origjinës në një vend tjetër brenda të njëjtit shtet. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat e “Vjetarit Rajonal Statistikor” për të kuptuar lëvizjen e shtetasve Shqiptarë dhe situatën e migracionit të brendshëm sipas qarqeve. Të dhënat e vëna në dispozicion nga INSTAT i referohen vitit 2022. Sipas shifrave vetëm 3 qarqe, Tirana, Durrësi dhe Vlora  kanë regjistruar migrim të brendshëm pozitiv.

Bilanci më i lartë pozitiv përsa i përket migrimit i atribuohet kryeqytetit, ku rezulton se janë 7,366 persona të ardhur më shumë se të larguar dhe më pas ndjek qarku i Durrësit. Në Durrës janë regjistruar 1,182 të ardhur më shumë se të larguar, ndërsa për qarkun e Vlorës kjo diferencë është më e vogël, ku kanë ardhur 239 persona më shumë sesa janë larguar.

Ndërkohë, sa  i përket qarqeve me migracion të brendshëm neto negativ më të lartë se të tjerët, shohim se situata mbetet e pandryshuar që nga viti 2019 ku Dibra dhe Elbasani rezultojnë të jenë qarqet me numrin më të lartë të larguarve. Në shifra konkrete në këto qarqe janë 1,822 dhe 1,283 më shumë të larguar sesa të ardhur.

Nëse llogarisim migrimin e brendshëm neto për 1,000 banorë rezulton se në Tiranë ky koeficient është 8 ndërsa në Durrës 4.1. Ndërkohë, në Shkodër, Lezhë dhe Elbasan ky koeficient varion nga -2 në -5. Në qarkun e Dibrës ky koeficient prek edhe vlerën më të ulët -16.9 dhe kjo shpjegohet nga analiza e mësipërme që e rendit Dibrën si qarkun me numrin më të lartë të të larguarve krahasimisht me ato që kanë ardhur pra janë vendosur në këtë qark.

Në përfundim të analizës themi se tendenca e migrimit është drejt vendeve të zhvilluara. Kryesisht preferenca e lëvizjes së shtetasve nga qarqe të ndryshme të Shqipërisë drejt kryeqytetit lidhet ngushtë me mënyrën e jetesës, hapësirës për punësim, nivelit të studimeve etj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.8%/ Kombet e Bashkuara: Flukset e forta turistike mbështetën kërkesën e brendshme

Postimi mëparshëm

Familjet me arsim 8/9 vjeçar rrisin konsumin/ Rreth 14% më shumë në vitin 2022, ato me arsim të mesëm dhe të lartë konsumuan më pak

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.