Sociale

Përmirësohen treguesit e varfërisë/ Por, ende regjistrohen rreth gjysmë milionë shqiptarë “në rrezik”

0

Sipas të dhënave nga “Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës” të publikuar nga INSTAT për vitin 2022, rreth 577 mijë shqiptarë, ose më shumë se gjysmë milioni, jetojnë nën kufirin për të qenë të varfër. Konkretisht ky tregues në vitin 2022 është 20.6%, duke pësuar një rënie prej 1,4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021 dhe kjo ka ardhur si rezultat i rënies së treguesve kryesorë që përcaktojnë rrezikun për të qenë i varfër. Theksojmë se ky tregues merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtarëve në familje dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.

Nëse do të flasim për shkallën e thelluar të privimit material, e cila tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material, shifrat tregojnë se për vitin 2022 ky tregues është vlerësuar në 37% kundrejt 39 % që ishte vlerësuar në vitin 2021. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225,931 lekë, në krahasim me 191,791 lekë që ishte në vitin 2021.

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat e rrezikut për të qenë të varfër edhe sipas grupmoshës. Nga analiza e shifrave vëmë re se për të gjitha grupmoshat, rreziku për të qenë i varfër është në rënie nga viti në vit. Për grupmoshat që i përkasin intervalit 18-64 vjeç rreziku për të qenë i varfër është ulur me 1.6pp, ndërsa grupmosha 65 vjeç e lart është më e ekspozuar ndaj varfërisë, pasi ky tregues u ul vetëm me 0.9 pp në vitin 2022. Ndërkohë, nëse analizën e intensifikojmë tek të punësuarit, të dhënat tregojnë se rreziku për të qenë i varfër për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2022 ka shënuar rënie me 2.1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021. Tek individët e papunë dhe pensionistët ky tregues ka pësuar rritje përkatësisht me 0.4pp dhe 0.2pp, krahasuar me vitin 2021.

Por si paraqitet Shqipëria mes vendeve të rajonit dhe të BE-së? Shifrat tregojnë se vlera e varfërisë relative në Shqipëri është mbi mesataren e BE-së. Në vendin tonë treguesi i varfërisë është 20.6% ndërkohë që në BE është 16.5%. Sa i përket vendeve të Europës, vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Bullgari me 22.9%, Estoni me 22.8% dhe Letoni me 22.5%. Në të kundërt, pra vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke me 10.2% si dhe Slloveni e Hungari me 12.1% përkatësisht.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Analiza/ Çfarë do të fitonte rajoni nga integrimi në BE? Banka Botërore: Kostot e tregtisë do të reduktoheshin me 4%

Postimi mëparshëm

Sa mund të kursejë një familje shqiptare? Mesatarisht 5 mijë euro në vit. Kalkulatori, llogarit nivelin e kursimeve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.