Popullsia

Plakja e popullsisë përshpejton hapin/ Bie numri i lindjeve me 19.6%, gjysma e qarqeve regjistron shtesë natyrore negative

0

Të dhënat demografike për tremujorin e tretë të këtij viti flasin për një rënie të numrit të lindjeve në vendin tonë me 19.6%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, duke zbritur në 6,172 lindje. Kjo tendencë reflekton vazhdimësinë e tkurrjes së popullsisë edhe për këtë tremujor. Pavarësisht lindshmërisë së ulët të dhënat janë pozitive sa i përket numrit të vdekjeve të cilat po ashtu kanë pësuar rënie gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022 me 19.8% dhe janë regjistruar gjithsej 5,130 vdekje. Nga ana tjetër, shtesa natyrore e popullsisë po ashtu reflekton një trendencë pozitive. Lindjet kanë tejkaluar vdekjet me 1,042 lindje më shumë, por krahasuar me të njejtin tremujor të një viti më parë ky tregues rezulton më i ulët.

Edhe pse në total lindjet kanë tejkaluar vdekjet, të dhënat sipas qarqeve nuk janë edhe aq optimiste. Në gjysmën e qarqeve, pra në gjashtë prej tyre, numri i vdekjeve ka lënë pas atë të lindjeve. Korça ka regjistuar shtesë natyrore negative me 139 vdekje më shumë se sa lindje, ndjekur nga Vlora me 128 vdekje më shumë. Gjirokastra po ashtu vijon të shkojë drejt tkurrjes gjithmonë e më shumë. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022 numri i vdekjeve ka tejkaluar lindjet në Gjirokastër me 87 të tilla. Vlen të përmendim se Gjirokastra është qarku i cili ka popullsisë më të plakur në Shqipëri. Shkodra, Fieri dhe Berati gjithashtu regjistrojnë shtesë natyrore negative me 36, 25 dhe 9 vdekje më shumë së sa lindje. Nga ana tjetër e tabelës janë Tirana dhe Durrësi, qarqet të cilat kanë regjistruar shtesë natyrore pozitive më të lartë se qarqet e tjera.

“Scan Intel” bazuar po në të dhënat e INSTAT mbi treguesit demografike për tremujorin e tretë të vitit aktual ka analizuar po ashtu ndryshimin vjetor të numrit të lindjeve dhe të vdekjeve sipas qarqeve. Sa i përket numrit të lindjeve shifrat tregojnë se të gjitha qarqet regjistrojnë rënie të numrit të tyre. Rënien më të lartë e regjistron qarku i Korçës, ndjekur nga Gjirokastra, përkatësish me 28.7% dhe 26.8%. Berati është qarku i cili regjistron rënien më të ulët të numrit të lindjeve krahasuar me qarket e tjera me 8.7%. Nëse do të flisnim për ndryshimin vjetor të numrit të vdekjeve, të gjitha qarqet paraqiten me rënie përveç Kukësit. Rënien më të lartë e regjistron qarku i Lezhës me 29.7%, pasuar nga Shkodra me 28.7%. Qarku i Kukësit ka pësuar rritje të numrit të vdekjeve, krahasuar me një vit më parë, me 2.4%. Edhe pse të dhënat tregojnë për një tendencë pozitive të shtesës natyrore, rënia e numrit të lindjeve në nivel kombëtar, por edhe në të gjitha qarqet është një tregues që reflekton plakje dhe pakësim të popullsisë në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gushti, “piku” i aplikimeve për azil/ Regjistrohen 1.117 kërkesa, vijojmë të kryesojmë rajonin

Postimi mëparshëm

Shqiptarët, gjithmonë e më shumë “high-tech”/ Importi i pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake u rrit me 21% në 2021-shin, mbi 270 milionë euro treg

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.