Ekonomi

Sa po kursejnë shqiptarët nga sistemi AIPS? Vetëm në dy muaj përmes tij u transferuan 723 mln euro

0

Prej dy vitesh tashmë në sistemin bankar është funksional programi AIPS që bën të mundur realizimin e transfertave kombëtare në Euro mes bankave pa tarifa shtesë nga bankat mëmë. Rikujtojmë se më herët, transfertat kombëtare në Euro brenda sistemit bankar shqiptar bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Banka e Shqipërisë” në muajin shkurt të vitit 2024 ka patur një rritje të volumit të transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS. Konkretisht në muajin shkurt të këtij vitit janë kryer 22,432 transaksione nga 21,609 që u kryen në muajin janar. Duhet theksuar se pagesat në euro brenda vendit arritën një rekord gjatë vitit 2023, viti i dytë ky që nga momenti kur sistemi AIPS ishte funksional. Në shifra ekzakte themi se në vitin që lamë pas transfertat e kryera përmes sistemit arritën vlerën 4.9 mld euro .

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesi ka ndryshuar qasja ndaj këtij sistemi dhe sa po përdoret ai nga sistemi bankar shqiptar? Ashtu siç ka patur një rritje të numrit të transaksioneve ka patur njëkohësisht edhe një rritje të vlerave të pagesave të transferuara nëpërmjet këtij sistemi. Në muajin janar të këtij viti u transferuan 349 milionë euro përmes sistemit AIPS, ndërkohë që në muajin shkurt u transferuan 25 milionë euro më shumë. Shifrat tregojnë se në 44,041 transaksione të kryera brenda dy muajve të parë të vitit vlera e transferuar nëpërmjet sistemit AIPS arriti në 723 milionë euro për periudhën janar-shkurt të vitit 2024.

Sistemi AIPS përveçse ka sjellë lehtësimin e kryerjes së transaksioneve si dhe  minimizimin e vonesave ai ka kursyer shqiptarët përsa i përket pagesave në Euro, pasi për një transfertë prej 100 mijë eurosh paguhej diçka më shumë se 200 euro komision përmes sistemit të bankës korrespondente, ndërkohë që aktualisht sistemi AIPS ka vendosur komisione tavan që nuk mund të kalojnë  vlerën e 50 euro-ve . Ky komision aplikohet për shuma më të mëdha se 10 mijë euro, ndërsa në rastin e pagesave më të vogla se 10 mijë euro komisioni nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa i ‘rrezikon’ Starlink kompanitë shqiptare të internetit? Analiza e tregut/ Shqipëria ka 240 operatorë që ofrojnë internet

Postimi mëparshëm

Shqipëri vs Europë, si ndryshuan shpenzimet? U shpenzua më pak për ushqim dhe më shumë për restorante dhe hotele

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.