Financë

Shkurti sjell rritje të kreditimit me 5%/ Vijojnë tendencat rritëse edhe të kredisë për blerje banese, 23% më shumë se vjet

0

Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e fundit mbi nivelin e huave të reja të disbursuara gjatë muajit shkurt drejt individëve dhe korporatave jofinanciare private. Sipas shifrave, gjatë muajit të dytë të vitit, flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 19.23 miliardë lekë, që përbën edhe një rekord historik. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shohim që niveli i huave të reja gjithsej ka pësuar një rritje prej 5%, nga 18.37 miliardë lekë që llogaritej për shkurtin e 2022-shit. Nëse e shohim sipas së njëjtës periudhë të tetë viteve të fundit, ky është niveli më i lartë i kreditimit, duke kaluar lehtë dhe shkurtin e vitit 2020, ku vlera e huave të reja fiksohej në 19.21 miliardë lekë.

Vlera e kreditimit gjithsej për muajin është shpërndarë midis biznesit, që ka marrë 12.4 miliardë lekë, 6,6 miliardë lekë ndërkohë janë marrë nga individët dhe 235 milonë të tjera nga korporatat jofinanciare publike.

Huatë e reja në monedhën vendase për individët mbizotërojnë ndaj asaj në valutë. Nga huatë e reja për financimin e individëve, 3.5 miliardë lekë ka qenë kredi e re në monedhën vendase, 3.1 miliardë lekë në euro dhe vetëm 19.6 milionë lekë në dollarë. Përsa i takon financimit të bizneseve, huatë e reja në monedhën vendase kanë qenë në vlerën 4.1 miliardë lekë, 8.2 miliardë lekë në euro dhe 44.6 milionë lekë në dollarë. Shohim në këtë mënyrë që korporatat private ose bizneset, ndryshe nga individët, vijojnë të preferojnë ndjeshëm kreditë në euro, krahasuar me monedhën vendase. Ndër të tjera, kjo favorizohet nga euroizimi i lartë i ekonomisë dhe sektorit financiar dhe nga influenca e euros në marrëdhëniet tregtare të vendit.

Nëse ndalemi të shohim vlerën e huave për blerje banesash krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka regjistruar rritje. Kështu, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, nga 6.6 miliardë lekë të huave të reja për individë, 3.8 miliardë rezultojnë për blerje banese përgjatë muajit shkurt 2023, në të gjitha valutat. E thënë ndryshe më shumë se gjysma e vlerës së huave të reja që janë marrë nga individët përgjatë shkurtit, kanë qënë me qëllim për blerje banese. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë ishte 3.1 miliardë lekë, duke pësuar një rritje prej 23%.

Vitin e kaluar, sidomos në gjysmën e dytë të tij, u vu re një ngadalësim i ritmeve të kredidhënies si pasojë e inflacionit të lartë, rritjes së normave të interesit dhe politikave konservatore të bankave. I njëjti ngadalësim u konfirmua edhe gjatë muajit të parë të vitit 2023, por mesa duket muaji shkurt ndërpreu ketë tendencë duke llogaritur një rritje të lehtë të nivelit të kreditimit. Megjithatë, mbetet për t`u parë nëse shtimi në vlerë i huave të reja do të tregojë qëndrueshmëri, duke u shtrirë edhe në muajt e ardhshëm.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Depozitat, me rënien më të madhe që nga pandemia/ Bien me 1.2% në shkurt, 132 milionë euro më pak në banka

Postimi mëparshëm

Ekonomia shqiptare u rrit me 4.84% vjet/ “Bien” projeksionet pesimiste, ndërtimi “lokomotiva” e rritjes

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.