Ekonomi

Ekonomia shqiptare u rrit me 4.84% vjet/ “Bien” projeksionet pesimiste, ndërtimi “lokomotiva” e rritjes

0

Të dhënat paraprake nga “Instituti i Statistikave” nisur nga vlerësimet e tremujorit të katërt të vitit 2022, bëjnë me dije se ekonomia shqiptare u rrit me 4.84% përgjatë vitit 2022, krahasuar më vitin 2021. Nga analiza e shifrave shohim se, krahasuar me vitin pararendës, ritmet e rritjes kanë rënë, por pavarësisht kësaj, kjo rritje për vitin që lamë pas duket se ka hedhur poshtë projeksionet e Bankës Botërore të muajit janar, të cilat parashikonin një rritje të ekonomisë shqiptare deri në 3.5%. Nga ana tjetër, këto terma zgjerimi ekonomik kanë ardhur në një vit krize.

Nëse do të shohim ecurinë e rritjes ekonomike përgjatë tremujoreve të vitit 2022 shohim se temujori i parë rezulton më rritje deri në 6.5%. Përgjatë tremujorit të dytë ekonomia u rrit me 2.2%, duke regjistruar një rënie si pasojë e efekteve të luftës në Ukrainë, ndërkohë që në tremujorin e tretë të vitit ekonomia u rrit me 4.02%. Produkti i Brendshëm Bruto e mbylli vitin me rritje deri në 4.73% në tremujorin e katërt të vitit 2022, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2021.

Ndërtimi duket se ka udhëhequr rritjen ekonomike përgjatë gjithë vitit, me përjashtim të tremujorit të dytë. Shifrat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë së përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2022 kontributin më pozitiv e ka dhënë “Ndërtimi” me 1,69 pikë përqindje. Po ashtu grupi “Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” ndikoi me 0,96 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,88 pikë përqindje, “Industria, Energjia dhe Uji” me 0,70 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me 0,54 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni” me 0,47 pikë përqindje, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” me 0,26 pikë përqindje. Negativisht kontribuan aktivitetet “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me 0,42 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me 0,12 pikë përqindje dhe “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0,09 pikë përqindje.

Nëse në analizë marrim ndryshimin e degëve kryesore, shohim se për tremujorin e katërt, rritjen më të lartë e kanë shënuar grupet “Ndërtimi” me 14.4%, pasuar nga “Informacioni dhe Komunikacioni” me 13.79% dhe “Aktivitetet Financiare e të Sigurimit” me 12.97%. Pra, këto tre grupe kanë pësuar rritje me numra dyshifrorë. Nga ana tjetër, rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe grupe si industria, apo aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 5.61% dhe 9.36%. Grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje”, “Aktivitete të tjera shërbimi” patën një rënie me 14.81%. Me rënie paraqitet edhe grupi “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” me 0.11%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Taksat Neto mbi produktet u ulën me 1.04%.

Me rritje paraqiten të dhënat edhe sa i përket konsumit të popullatës. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 4.49% përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2022.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shkurti sjell rritje të kreditimit me 5%/ Vijojnë tendencat rritëse edhe të kredisë për blerje banese, 23% më shumë se vjet

Postimi mëparshëm

Tregtia dhe ndërtimi kryesojnë kreditimin/ Zënë mbi 50% të huamarrjes gjatë shkurtit, rritje të ndjeshme për pasuritë e paluajtshme

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.