Ekonomi

Besimi në ekonomi e nis vitin në “zbritje”/ Konsumatorët, më pesimistë për ekonominë gjatë muajit Janar

0

“Banka e Shqipërisë”, nëpërmjet vrojtimit të besimit të biznesit dhe konsumatorit, sinjalizon se treguesi i ndjesisë ekonomike e ka nisur vitin 2024 me rënie. Kjo rënie konstatohet me 1.8 pikë në muajin Janar dhe qëndron 7.6 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Institucioni i Bankës së Shqipërisë shpjegon se rënia e këtij treguesi këtë muaj është nxitur nga rënia e treguesit të besimit konsumator, rënia e besimit në sektorin e ndërtimit dhe atë të shërbimeve. Nga ana tjetër, besimi në sektorët e industrisë dhe të tregtisë shënuan rritje në muajin Janar të këtij viti.

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat për të kuptuar se si kanë ndryshuar vlerat e treguesve të besueshmërisë sipas sektorëve bazë të ekonomisë. Shifrat tregojnë se treguesi i besimit të industrisë u rrit me 4 pikë përqindje në  muajin Janar të këtij viti dhe kjo rritje e pozicionon atë 9 pikë përqindje mbi  mesataren historike . Qasja e bizneseve mbetet optimiste përsa i përket kontratave porositëse nga eksportet  dhe prodhimit aktual. Treguesi i dytë i cili regjistroi rritje në nisje të këtij viti ishte dhe ai i besimit në tregti, ku rritja për këtë tregues është 4.9 pikë përqindje. Kjo rritje mujore lidhet me performancën e  mirë të bizneseve gjatë muajit Janar të vitit aktual.

Nga ana tjetër, treguesit që kanë pësuar rënie janë treguesi i besimit në ndërtim, treguesi i besimit në shërbime dhe treguesi i besimit konsumator. Konkretisht treguesi i besimit në ndërtim ra me 8.6 pikë përqindje, megjithatë, niveli i tij vijon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike, me rreth 18 pikë. Kjo rënie u përcaktua kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues dhe nivelin e porosive.

Treguesi i besimit në shërbime gjithashtu pësoi një rënie të konsiderueshme me 5.2 pikë përqindje në muajin Janar të vitit 2024. Niveli i këtij treguesi aktualisht qëndron 8.1 pikë përqindje mbi mesataren historike, ndërkohë edhe treguesi i besimit konsumator ka regjistruar një rënie të lehtë me 0.9 pikë përqindje, duke zbritur afër nivelit të mesatares historike. Kjo rënie ka ardhur si pasojë e vlerësimit të konsumatorëve të cilët e cilësuan me rënie situatën e tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Instituti i Vienës për ekonominë shqiptare/ Projeksionet, të njëjta me edicionin e vjeshtës. Ekonomia pritet të rritet me 3.6% këtë vit

Postimi mëparshëm

Rreth 8 mijë persona të prekur nga kanceri/ OBSH: Në vitin 2025 priten 7% më shumë raste të reja në Shqipëri

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.