Ekonomi

Investimet Amerikane në Shqipëri/ Në vitin 2023 vlera e tyre ishte 3 herë më e lartë se në vitin 2019-të

0

Sipas të dhënave nga “Banka e Shqipërisë”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë investitori i gjashtë më i madh në vendin tonë, të paktën sa i takon 9-mujorit të vitit 2023. Fluksi i investimeve për këtë periudhë llogaritet në 47 milionë euro. Sipas shifrave të analizuara nga ‘Scan Intel’, investimet nga SHBA-ja janë rritur me 14.9%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë dhe zënë rreth 4% të totalit të investimeve.

Që nga viti 2014-të, pra afërsisht në harkun kohor të një dekade, të dhënat tregojnë se investimet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri janë rritur vit pas viti. Nëse analizojnë investimet që nga 2019-ta, shifrat tregojnë se në vitin 2023 ato janë rreth tre herë më të larta. Gjatë 9-mujorit të vitit 2019-të, investimet amerikane në Shqipëri llogariten në rreth 15 milionë euro, ose 213% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Referuar të dhënave nga “Banka e Shqipërisë”, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, arriti vlerën e 15 milionë eurove, në rritje me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Referuar të dhënave historike që nga viti 2014-të, kulmi i investimeve Amerikane në Shqipëri u regjistrua përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023, me rreth 17 milionë euro.

Investimet amerikane janë të përqendruara kryesisht në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, si energjetikë, gaz i lëngshëm natyror, sistemi financiar etj.

‘Scan Intel’ ndër të tjera ka analizuar edhe ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta, për të parë se si pozicionohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas shifrave të “Institutit të Statisikave”, në vitin 2022, në Shqipëri kanë operuar rreth 167 ndërmarrje aktive të huaja të përbashkëta me origjinë nga Shtetet e Bashkuara. Janë 27 prej tyre të cilat e kanë të shtrirë aktivitetin në prodhim dhe 140 të cilat operojnë në sektorin e shërbimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Një shqiptar konsumon 2.4 herë më pak se një italian/ Indeksi i konsumit individual, jemi të fundit në rajon dhe Europë

Postimi mëparshëm

Bizneset, 3.3 miliardë lekë fitime /Tregtia dhe energjia elektrike me performancën më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.