Veprat penale kanë rënë me 4.8% në vitin 2022, krahasuar me një vit më parë, tregojnë të dhënat e “Institutit të Statistikave” mbi statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale. Shifrat tregojnë se janë regjistruar gjithsej 33,476 vepra penale gjatë vitit 2022. Veprat penale “Mashtrime”, “Dhuna në familje”, “Krime seksuale”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Vjedhje me armë” janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale kanë shënuar rënie. Rënien më të lartë e kanë regjistruar veprat “Vrasje me dashje” me 31.1% dhe “Vjedhjet” me 24.1%. Po ashtu me rënie regjistrohen krimet me dashje kundër shëndetit, krimet në fushën e drogës dhe shkeljet e rregullave në qarkullimin rrugor. Referuar të dhënave vepra penale “ Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” ka rritjen më të madhe krahasuar me vitin 2022, me 44.8%, nga 67 vepra në vitin 2021 në 97 vepra. Krimet seksuale po ashtu regjistrohen me rrije deri në 24.3%, ndjekur nga dhuna në familje dhe mashtrimet me 15.7% dhe 8.9% përkatësisht.
“Scan Intel” e ka analizuar këtë tregues edhe sipas autorëve. Për 33,476 vepra penale të kryera në vitin 2022, regjistrohen 38,198 autorë, duke rënë me 2.9%. Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2022 është 32.420 autorë, 9.3% më pak, krahasuar me vitin 2021. Nëse do t`i analizonim sipas gjinisë, meshkujt përbëjnë 94.3% të totalit të autorëve të veprave penale, nderkohë që 36% e autorëve janë të grupmoshës 30-44 vjeç, 26.7% të grupmoshës 18-29 vjeç dhe 22% i përkasin grupmoshës 45-59 vjeç. Nga ana tjetër, poërgjatë vitit 2022 janë regjistruar 13,650 persona të dëmtuar, 19.3% më pak, krahasuar me vitin 2021.
Por, si paraqitet gjendja e të burgosurve gjatë vitit 2022? Në total gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 4,944 të burgosur, nga ku meshkujt përbëjnë 98.7% të tyre. Grupmosha 21-29 vjeç ka numrin më të lartë të të burgosurve. Personat mbi 60 vjeç dhe nën 20 vjeç kanë numrin më të ulët të të burgosurve. Krahasuar me vitin 2021, numri i të burosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ka rënë me 0.2%. Në raport me popullsinë, për vitin 2022, janë regjistruar 17.6 të burgosur për 10 mijë banorë nga 18 që ishin një vit më parë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments