Rënia e nivelit të çmimeve duket se ka stabilizuar tregtinë e jashtme. Këtë e konfirmojnë shifrat e transportit të publikuara nga “Instituti i Statstikave”. Pas një tkurrje të vazhdueshme të volumit të mallrave të transportuara në rrugë detare, që zë dhe peshën më të madhe të mallrave të transportuara, gjatë tremujorit të parë të vitit vihet re një rritje e volumit të tyre. Sipas shifrave zyrtare, volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte është rritur me 13.5%, krahasuar me të njejtin tremujor të vitit 2022. Në portin e Durrësit, i cili është edhe porti kryesor në vend, janë transportuar 95.9% e volumit të mallrave të transportuara me det, ose 1,553 mijë tonë mallra. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rrritur me 14.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në dy portet e tjera volumi i mallrave të transportuara ka shënuar rënie ku në portin e Vlorës rënia është 13.6%, në portin e Sarandës regjistrohet në 7.1%, ndërsa në atë të Shëngjinit volumi i mallrave ka shënuar rritje deri në 6.5%.
Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 194 anije, nga këto 170 anije janë të huaja dhe 24 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është ulur me 9.3% , ku numri anijeve të huaja është ulur me 1.7%, krahasuar me tremujorin e parë 2022. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në rruge detare numri i tyre është në rreth 138 mijë dhe ka shënuar një rritje me 13.9%. Porti i Durrësit është porti kryesor në vend nga i cili kanë udhëtuar 79.5% e pasagjerëve, më pas vjen porti i Vlorës me 15.7%, porti i Sarandës me 4.8%.
“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe transportin e mallrave dhe pasagjerëve përmes rrugëve ajrore. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” në transportin ajror operojnë 17 shoqëri ajrore, nga këto 15 janë shoqëri të huaja dhe 2 janë shoqëri shqiptare. Gjatë tremujorit të parë 2023, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 45,087 avionë.
Volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet transportit ajror rezultoi 449.7 tonë, nga të cilat 77.3% janë mallra të hyra dhe 22.7% janë mallra të dala. Krahasuar me tremujorin e parë 2022, volumi i mallrave paraqitet me rënie në 6.8%. Nga të dhënat nuk shihet i njejti ndryshim sa i përket numrit të pasagjerëve. Në tremujorin e parë 2023, kanë udhëtuar me linja ajrore 1,166,000 pasagjerë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky tregues është rritur me 53.3%. Ndërkohë, numri i fluturimeve është rritur me 31.3% përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments