Financë

Tiranasit, të vetmit me kursimet e “prekura”/ Kryeqyteti regjistron rënie të depozitave të individëve, 851 mln lekë më pak në 3 muaj

0

“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë si dhe të dhënat historike për të kuptuar ecurinë e nivelit të depozitave sipas rretheve. Kjo përllogaritje është bërë mbi sasinë e depozitave në sektorin bankar sipas 8 qarqeve kryesore të cilat figurojnë në statistikat e institucionit, ndërkohë që 4 qarqe të tjera përmblidhen si “të tjera”. Depozitat sipas qarqeve i referohen totalit të depozitave, pra, individëve dhe bizneseve, dhe periudha e marrë në shqyrtim është ajo e tremujorit të parë të vitit 2023. Shifrat sinjalizojnë se, totali i depozitave në sektorin bankar ka prekur nivelin e 1.52 trilionë lekëve, në rritje me vetëm 0.2% krahasuar me tremujorin paraardhës. Bëhet fjalë për plot 3.2 miliardë lekë më shumë në banka. Kujtojmë se indikatori që mat depozitat në paranë e gjerë për muajin mars regjistrohej në rënie për të dytin muaj me radhë. Por, statistkat për depozitat i referohen tremujorit të parë si të plotë, dhe japin një panoramë më të qartë të ecurisë së “kursimeve” sipas rretheve/qarqeve.

Pra, nëse analizën e zhvendosim sipas rretheve, ashtu siç i referohet statistikisht Banka e Shqipërisë ndarjes gjeografike, shohim se, vetëm 2 qarqe regjistrojnë rritje të “kursimeve”. Tirana mban vendin e parë sa i përket rritjes së depozitave përgjatë tremujorit të parë, krahasuar me tremujorin pararendës, paçka se me vetëm 0.6%. Pas kryeqytetit si rrethi apo qarku me rritjen më të madhe të depozitave është Korça, me 0.5% gjatë tre muajve të parë të vitit. Më pas janë ato rrethe të klasifkuara si “të tjera” nga Banka e Shqipërisë, me vetëm 0.2% rritje. Pas tyre hyjmë në territorin e rretheve/qarqeve me tkurrje të depozitave përgjatë tremujorit të parë të vitit, duke nisur me Vlorën, ku rënia fiksohet pranë 0.3%, dhe ndiqet nga Shkodra dhe Elbasani me nga 0.4%. Tre rrethet/qarqet me rënien më të lartë të depozitave bankare gjatë tre muajve të parë të këtij viti rezultojnë të jenë: Fieri dhe Lezha me nga me 0.5% rënie secila, si dhe Durrësi që mban vendin e fundit, me 0.8% tkurrje të depozitave në harkun e një tremujori.

Duke kaluar te analiza vetëm për individët shohim se, panorama përmbyset tërësisht, sa i përket rretheve/qarqeve. Gjatë tremujorit të parë të vitit depozitat janë rritur me 0.38% dhe fiksohen në vlerën e 1.18 trilionë lekë, nga 1.17 trilionë lekë që ishte në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Në këtë rast vetëm rrethi/qarku i Tiranës ka pësuar një rënie të depozitave për individët, me 0.18%, nga 469 miliardë lekë në 468 miliardë lekë për tremujorin e parë të vitit aktual. Pavarësisht kësaj, Tirana përfaqëson thuajse gjysmën e totalit të depozitave. Pjesa tjetër e rretheve/qarqeve kanë pësuar rritje, ku Fieri regjistron rritjen më të lartë me 1.68% ose rreth 1 miliardë lekë në vlerë absolute.

Këto luhatje të ndjeshme të shifrave nga njëri qark në tjetrin lidhen ngushtë edhe me zhvillimin ekonomik jo homogjen mes rajoneve dhe qyteteve të ndryshme të vendit, por edhe me formalizimin, gjithashtu jo homogjen. Duke qenë se paratë e depozituara në banka përfaqësojnë pjesën e “pastër” të parasë dhe kryesisht atë të formalizuar, edhe kjo renditje i referohet pikërisht rritjes së pasurisë formale sipas qarqeve ndër vite.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Më pak vepra penale në 2022/ Në rënie me 4.8%, por “Shpërdorimi i detyrës”, shënoi rritjen më të lartë me 44.8%

Postimi mëparshëm

Profili i një “punëtori” në Shqipëri/ Është mashkull, 25-54 vjeç, me 54 mijë lekë pagë, pa arsim të lartë dhe punon në bujqësi ose në sektorin e shërbimeve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.