Çmimet

Inflacioni sipas Instat, me “metrin” e Eurostat/ Vazhdojnë pikëpyetjet, qiratë e shtëpive rezultojnë vetëm 2% më të larta se vjet

0

Indeksi i Harmonizuiar i Çmimeve të Konsumit, që mat inflacionin sipas metodës së Eurostat, gjatë shtatorit fiksohet pranë 7.9%, raporton Instituti i Statistikave. Kjo shifër është lehtë nën normën e inflacionit të raportuar sipas metodës së Instat, e cila fiksohet pranë 8.1% për muajin shtator. Kështu, shifrat tregojnë se, rritja më e madhe e çmimeve në vendin tonë gjatë kësaj periudhe kohore, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar regjistrohet nga grupi i “transportit”, me 13.4%. ndjekur nga “ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me 13.1%, “pijet alkoolike dhe duhani” si dhe “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, me 5.8% secila.

Në terma mujorë ndërkohë, pra krahasuar me gushtin e këtij viti, në shtator, sipas metodës së Eurostat, çmimet rezultojnë 0.6% më të shtrenjta, duke u ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të “veshjeve dhe këpucëve” me 1.8% dhe “shërbimi arsimor” me 1.4%. Një prej grupeve rezulton me rënie, dhe paradoksalisht është ai i transportit, me 0.8%.

Krahasuar me vendet e tjera të Europës ndërkohë, norma vjetore e rritjes së çmimeve në vendin tonë prej 7.9% këtë shtator rezulton të jetë e 6-ta më e ulët mes vendeve të BE-së, si dhe ndjeshëm nën mesataren e unionit, e cila fiksohet pranë 10.9%. Estonia raportohet si vendi me rritjen më të lartë të çmimeve në europë, prej 24% në shtator, dhe nga krahu i kundërt i tabelës gjendet Zvicra, me një normë të inflacionit të harmonziar pranë rreth 3%, sinjalizojnë shifrat zyrtare.

Kujtojmë se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit i referohet metodologjisë europiane, por të dhënat janë ato të Institutit të Statistikave. Të vetmet ndyshime mes dy metodologjive janë sa i përket peshës që zë secili grup në normën e inflacionit, ku ndryshimet janë jo të vogla, por edhe te numri i produkteve dhe shërbimeve që merren në analizë, çka sjell edhe ndryshimin mes dy metodave të matjes së normës së inflacionit. Këto ndryshime në pesha janë të theksuara sidomos sa i përket transportit dhe grupit të “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”.

Pra, ndryshon vetëm metodologjia dhe formula e përllogaritjes së indeksit të çmimeve të konsumit, pasi grumbullimin dhe përpunimin e informacionit e bën sërish Instat. Madje, Shqipëria mungon në publikimin e Eurostat sa i përket indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit. Edhe në rastin e IHÇK, ashtu si me indeksin e çmimeve të konsumit, ngrihen jo pak pikëpyetje sa i përket disa zërave, si ai që përfshin qiranë dhë lëndët djegëse. Përshëmbull, sipas Instat, qiratë e shtëpive janë rritur me vetëm 2%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që aktorë të tregut flasin për një rritje të ndjeshme, mbi 20%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pronat në bregdet po “përpihen”/ Këtë vit po shiten gati 2 herë më shpejt se mesatarja kombëtare

Postimi mëparshëm

“Fabula” e buxhetit 2023/ Qeveria me kursim, qytetarët dhe biznesi me harxhim, të ardhurat rriten dyfishin e shpenzimeve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.