Real Estate

Pronat në bregdet po “përpihen”/ Këtë vit po shiten gati 2 herë më shpejt se mesatarja kombëtare

0

“Scan Intel” ka analizuar vrojtimet e “Tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri”, për të kuptuar se sa është kohëzgjatja e shitjes së një prone në vendin tonë. Ky vrojtim kryhet në formën e një ankete me mbi 200 kompani që operojnë në treg dhe që përfaqësojnë thuajse rreth 80% të tij, sipas vetë Bankës së Shqipërisë, që publikon vrojtimin në mënyrë periodike çdo 6 muaj. Publikimi më i fundit i referohet 6-mujorit të parë të këtij viti.

Shifrat sinjalizojnë kështu se në rang vendi, mesatarja e shitjes së një banese fiksohet pranë 10.8 muajve, në rënie të lehtë krahasuar me 6-mujorin e kaluar, kur fiksohej në 11 muaj. Në 6-mujorin e parë të vitit 2021 kjo kohëzgjatje fiksohej në 10.5 muaj, ndërsa përgjatë vitit 2020, pranë 10.6 muajve. Në Tiranë, kohëzgjatja mesatare e shitjes së një prone, sipas vetë aktorëve të tregut raportohet pranë rreth 9.7 muajve, në rritje të lehtë krahasuar me 6-mujorin paraardhës, por realitivisht më e ulët krahasuar me vitin 2020, kur kjo këhëzgjatje ishte pranë 10.4 muajve.

Surpriza e madhe e këtyre shifrave të anketimit ndërkohë vjen nga pronat në bregdet, që duket se po shiten me ritme mjaft të shpejta. Këtë vit, për 6-mujorin e parë, mesatarisht, një banesë në bregdet është shitur për 6 muaj, duke regjistruar një rekord absolut. Përgjatë 6-mujorit të kaluar, pra gjysmës së dytë të vitit 2021, një banesë në bregdet kërkonte mesatarisht 11 muaj për t`u shitur, tregojnë vrojtimet e Bankës së Shqipërisë, të analizuara nga “Scan Intel”. Madje, përgjatë gjysmës së parë të vitit 2020, koha mesatare për shitjen e banesave në bregdet ishte në 10.4 muaj.

Tendenca tregon se se fundmi, pronat në zonat bregdetare po shiten më shpejt se ato në kryeqytet dhe ndjeshëm nën mesataren kombëtare.

Aktorë të tregut janë shprehur vazhdimisht se gjatë 2 viteve të fundit kërkesa për apartamente, zona rezidenciale dhe prona më bregdet është rritur ndjeshëm, sidomos nga të huajt. Madje, të tjera të dhëna nga Banka e Shqipërisë, të publikuara vetëm pak kohë më parë tregonin se investimet e të huajve në prona në Shqipëri kanë prekur shifrën e rreth 930 milionë eurove, ndërkohë që vetëm në 6 muajt e parë të vitit kanë investuar plot 142 milionë euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Euro “rrëzon” eksportet shqiptare?! Bien me 28% në shtator. Rënie e ndjeshme për materialet e ndërtimit, lëndët djegëse

Postimi mëparshëm

Inflacioni sipas Instat, me “metrin” e Eurostat/ Vazhdojnë pikëpyetjet, qiratë e shtëpive rezultojnë vetëm 2% më të larta se vjet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.