ÇmimetEkonomi

Inflacioni nuk di të ndalet më/ “Fluturon” në 8.3% në tetor, niveli më i lartë që prej vitit 1998

0

Norma e inflacionit gjatë tetorit ka prekur një rekord të ri, duke u ngjitur pranë 8.3%, nga 8.1% që ishte gjatë shtatorit, tregon publikimi më i fundit i “Institutit të Statisikave” mbi indeksin e çmimeve të konsumit. Niveli i ri prej 8.3% i normës së inflacionit rezulton të jetë më i larti që prej dhjetorit të vitit 1998, kur fiksohej pranë 8.7%, por në një kontekst krejt tjetër politik dhe social për vendin. Rritja e çmimeve duket se nuk po ndalet, dhe presionet inflacioniste vetëm po shtohen, duke regjistruar rekorde të reja muaj pas muaji. Prej 12 muajsh me radhë tashmë, norma e inflacionit është në rritje të vazhdueshme dhe progresive, sinjalizojnë shifrat zyrtare të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Krahasuar me shtatorin ndërkohë, në tetor çmimet e konsumit për mbi 300 mallra dhe shërbime rezultojnë 0.4% më të larta.

Në normën e inflacionit prej 8.3% gjatë tetorit, kontributin më të lartë rezulton ta ketë dhënë grupi i “ushqimeve dhe pijeve”, me thuajse 5.1 pikë përqindje, ndjekur nga “transporti” me vetëm 1 pikë dhe me vetëm 0.7 pikë ai i “qira, energji dhe lëndë djegëse”, çka vijon të ngrejë shumë pikëpyetje në lidhje me saktësinë e matjes së inflacionit.

Sa i përket ndryshimit vjetor të çmimeve nga grupet kryesore, shifrat tregojnë se rritjen më të madhe e regjistron grupi i transportit, me 16.9% rritje karahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ndjekur nga “ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me 14.6% rritje. Mobilimi dhe pajisjet e shtëpisë rezultojnë 6.5% më të shtrenjta se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa pijet alkoolike dhe duhani rezultojnë 5.7% më të shtrenjta. Asnjë prej grupeve kryesore nuk regjistron rënie të çmimeve krahasuar me 12 muaj më parë.

Duke kaluar te nëngrupet sipas kategorive ndërkohë, shohim se, në vend të parë, sa i përket rritjes së çmimeve janë vajrat ushqimore, me 27.4% rritje, ndjekur nga “qumështi, vezët, djathi”, me 24.3% rritje. Në vend të tretë ndërkohë gjejmë “shërbime ndaj mjeteve personale të transportit”, pra servisi i automjeteve, me 21.1% rritje. Kjo kategori prej më shumë se një viti regjistron rritje konstante të çmimeve.

Sa i përket vetëm ushqimeve, vëmë re një rritje prej 15.2% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ku veç vajrave dhe produkteve të bulmetit, në rritje të ndjeshme raportohen edhe “buka me drithërat”, 17.1% më të “kripura” se e njëjta periudhë e vitit 2021, ashtu si peshku, 15.3% më i shtrenjtë, apo mishi, 12.4%, zarzavatet, 11.8%, dhe sheqernat e ëmbëlsirat, me 14.7% rritje vjetore. Të gjitha nëngrupet e ushqimeve rezultojnë me rritje të çmimeve krahasuar me 12 muaj më parë, dhe ato me rritjen më të ulët janë frutat, me vetëm 3.3%, si dhe uji mineral dhe pijet e buta, me 5.9%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Profili i një familje mesatare shqiptare/ Me 4 anëtarë, jeton në shtëpi private, me prona, 84 mijë lekë shpenzime në muaj, kryefamiljarin të paarsimuar, “mbahet” nga paga

Postimi mëparshëm

Tirana rrit “epërsinë” ndaj qarqeve/ Portofoli i kredisë së individëve në kryeqytet, sa 65% e totalit, ishte 58% në 2015-ën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.