Ekonomi

Investitorët e huaj në Shqipëri fituan mbi 1 mld euro/ Pasuritë e paluajtshme dhe industria nxjerrëse, rekord historik në 2023

0

Fluksi i Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë për vitin që lamë pas fiksohet pranë  1.5 miliardë eurove, ndërsa fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri kanë arritur rekordin historik duke prekur vlerën e 1 miliardë eurove. Sipas të dhënave të publikuara në bilancin e Bankës së Shqipërisë rezulton se investitorët e huaj fituan 14.6% më shumë se një vit më parë dhe 72% më shumë se gjatë vitit të pandemisë globale.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesa kanë  tërhequr investitorët nga investimet e portofolit (kjo shumë mund të shpërndahet  në formën e dividentit apo yield-it). Për të llogaritur  shumën e tërhequr  mjafton që nga të ardhurat totale të investimeve të zbriten fitimet e riinvestuara. Pas përllogaritjeve, konkludojmë se vetëm në vitin 2023 investitorët e huaj tërhoqën më shumë se 211 milionë euro ose 37% më shumë se vitin e kaluar.

Në të kundërt, të ardhurat e ekonomisë  shqiptare nga investimet e bëra jashtë vendit në vitin 2023 arritën në  200 milionë  euro ose 60 milionë euro më shumë se në vitin 2022. Ndërsa bilanci neto i të ardhurave nga investimet rezulton të jetë me deficit prej 813 milionë eurosh. Kjo ndodh sepse pesha e investimeve të shqipërisë jashtë vendit është shumë më e vogël krahasimisht me investimet që të huajt bëjnë në vendin tonë.

Edhe sipas historikut të të dhënave zyrtare konfirmohet se investimet e huaja direkte në Shqipëri po ndjekin një trend rritës pozitiv nga viti në vit, dhe ky zgjerim i investimeve duket se iniciohet kryesisht  nga kushtet e favorshme të tregut valutor, të cilët kohëve të fundit kanë forcuar monedhën vendase si dhe nga përmirësimi i kushteve ekonomike në vend.

Por cila është origjina e investitorëve kryesorë në shqipëri dhe në cilët sektorë po investohet më shumë?

Nëse analizojmë të dhënat e Investimeve të Huaja Direkte sipas shteteve, rezulton se Holanda dhe Italia vijojnë të qëndrojnë në vend të parë në terma fluksesh edhe gjatë vitit 2023. Krahasuar me një vit më parë, shifrat tregojnë se Holanda e ka rritur prezencën e saj në tregun shqiptar me 10% ndërsa Italia me 49%. Konkretisht Investimet nga Holanda regjistrohen pranë 241 milionë eurove, dhe ato nga Italia pranë 203 milionë eurove. Renditja vijon me Gjermaninë me rreth 179 milionë euro, si dhe me Austrinë me rreth 119 milionë euro. Shtetet e tjera të origjinës së investimeve të huaja në vendin tonë ndjekin me diferenca të mëdha me vendet e para të listës.

Ndërsa, përsa i përket sektorëve investitorët e huaj janë përqëndruar kryesisht në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, industrisë nxjerrëse dhe aktiviteteve financiare dhe të sigurimit. Konkretisht, gjatë vitit 2023 në sektorin e ndërtimit u investuan 325 milionë euro, ndërsa në industri dhe aktivitetet financiare, investitorët e huaj angazhuan përkatësisht 270 milionë euro dhe 239 milionë euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa i “besojnë” të huajt shëndetin e tyre Shqipërisë? Pas pandemisë ranë ndjeshëm vizitat për trajtime shëndetësore

Postimi mëparshëm

Depozitat “tkurren” edhe në Mars/ Regjistruan rënie me 1.1%. “Digjen” rreth 144 milionë euro

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.