Ekonomi

Në Mars, paraja jashtë bankave arriti në 405 miliardë lekë/ Kursi i këmbimit favorizoi rritjen e likuiditeteve dhe parasë së gjerë

0

Volumi i parave në qarkullim jashtë sistemit bankar ka shënuar rritje edhe për muajin mars të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë sasia e parave jashtë bankave ka kaluar vlerën e 405 miliardë lekëve. Vetëm në 2 muaj volumi i parave në qarkullim është rritur me rreth 3 miliardë lekë, apo afërisht 30 milionë euro. Kjo rritje vjen pas një rënie në dy muajt paraardhës, ku gjatë periudhës janar-shkurt kjo sasi e parave në qarkullim varionte nga 402 miliardë lekë në 403 miliardë lekë. Duhet theksuar që kjo  diferencë pozitive është më e larta nga muaji nëntor i një viti më parë.

Edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja rezulton të jetë e ndjeshme, pasi totali i parave në qarkullim në muajin mars 2023 ishte 397.5 miliardë lekë. Në harkun kohor të një viti, volumi i parave që qarkullojnë jashtë sistemit bankar është shtuar me thuajse 8 miliardë lekë, apo afërsisht 80 milionë euro.

Ndërkohë, rritje ka shënuar edhe totali i aktiveve të sistemit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, totali i aktiveve në fund të muajit mars 2024 rezulton të jetë 717.5 miliardë lekë. Rritja e aktiveve vjen pas një rënie të lehtë në muajin shkurt të këtij viti. Kjo rritje e totalit të aktiveve në sistemin bankar i atribuohet rritjes së zërave të aktivit si mjetet financiare me 494 milionë lekë dhe depozitat e transferueshme me afro 9 miliardë lekë. Po ashtu kursi i këmbimit që ka favorizuar forcimin e monedhës vendase gjatë këtyre muajve ka kontribuar edhe në rritjen e parasë së gjerë. Me para të gjerë kuptojmë sasinë e parave që janë në duart e individëve dhe bizneseve por që nuk janë depozituar në banka.

Nga ana tjetër, nëse analizën e shtrijmë në harkun kohor të një viti rezulton se performance e bankave  në vitin 2023 ka qenë më e lartë. Sipas të dhënave në muajin mars të vitit të shkuar totali i aktiveve ishte 722.3 miliardë lekë, ndërsa sot kemi gjendje  5 miliardë lekë më pak.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kostot e ushqimit, Shqipëria nën mesataren e BE-së/ Zarzavatet “nxitën” rritjen. Importi i tyre prek kulmin

Postimi mëparshëm

Fasonet në situatë alarmante! Në mars tekstilet dhanë kontributin më të lartë në rënien e eksporteve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.