FinancëShqipëria 360°

Tirana rrit “epërsinë” ndaj qarqeve/ Portofoli i kredisë së individëve në kryeqytet, sa 65% e totalit, ishte 58% në 2015-ën

0

“Scan Intel” ka analizuar dhe përpunuar shifrat më të fundit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me portofolin e kredisë për individët sipas rretheve, të cilat korrespondojnë edhe me 8 prej qarqeve më të mëdha në vend. Dibra, Kukësi, Gjirokastra dhe Berati ndërkohë janë të klasifikuara si `të tjera`. Në këtë analizë do të shohim se si ka ndryshuar kredia e individëve sipas qarqeve, gjatë 7 viteve të fundit, pra nga tremujori i fundit i vitit 2015, deri në tremujorin e tretë të këtij viti.

Kështu, shifrat tregojnë se kryeqyteti regjistron rritjen më të lartë të kredisë për individët gjatë kësaj periudhe kohore, me plot 75.4%, duke u ngjitur në 159 miliardë lekë portofol kredie, nga vetëm 90.7 miliardë lekë që ishte kjo vlerë në fund të vitit 2015. Pas Tiranës ndjek Durrësi me rritjen më të madhe, me 42.5%, paçka se në stok është shumë larg kryeqytetit, me vetëm 16 miliardë lekë. Ndjek më pas Korça, me 33.4% rritje, Vlora me 29.4%, dhe Fieri me 25.6%. Lezha është në vend të fundit, me vetëm 8.3% rritje të portofolit të kredisë për individët në plot 7 vite.

Po sa i përket peshës, si ndahet portofoli dhe si ka ndryshuar krahasuar me vitin 2015? Padiskutim që Tirana mban vendin e parë, me rreth 65% të totalit të kredisë që individët kanë në të gjithë vendin. Në vitin 2015, Tirana zinte vetëm 58% të totalit të kredisë që individët kishin në mbarë vendin. Në vend të dytë ndjek Durrësi, me 6.8% të totalit, dhe Vlora me 3.1%. Lezha është në vend të 8-të ndër qarqet, me vetëm 1.5%, ndërkohë që 4 qarqet e tjera, që janë të klasifikuara si “të tjera” përfaqësojnë 13.3% të totalit. Shifrat tregojnë se ndër të 12 qarqet, 11 prej tyre kanë ulur peshën mbi totalin, dhe kjo peshë ka shkuar drejt kryeqytetit.

Siç e tregojnë qartë shifrat, Tirana vijon të rrisë epërsinë ndaj të gjitha qarqeve të tjera. Pavarësisht se kredia tregon borxhin e qytetarëve, flet për zhvillim dhe lëvizje demografike, duke qenë se pjesën dërrmuese të huasë për individët e zë ajo për blerje banese.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni nuk di të ndalet më/ “Fluturon” në 8.3% në tetor, niveli më i lartë që prej vitit 1998

Postimi mëparshëm

Papunësia e të rinjve, si renditet Shqipëria? Me 27.1% të të rinjve të papunë, jemi ndër vendet më problematike në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.