Ekonomi

Çmimet në Shqipëri, poshtë “vijës” europiane/ Inflacioni në mars rezultoi më i ulët se në vendet e rajonit  

0

Instituti i Statistikave ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit të matur sipas metodës europiane për muajin mars të këtij viti, që fiksohet në 2.4%, nivel ky nën mesataren e Bashkimit Europian. Ndërkohë, norma e inflacionit sipas Instat po për të njejtin muaj fiksohej në 2.3%.

Ashtu siç është sjellë në vëmendje edhe më parë, në të dyja rastet inflacioni përllogaritet nga i njëjti institucion, por ka diferenca të vogla për shkak të peshës që i jepet secilit grup në normën e inflacionit.

“Scan Intel’’ ka analizuar indikatorët që ndikuan në rritjen çmimeve gjatë këtij muaji dhe të dhënat zyrtare tregojnë se kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet përveç transportit.

Nëse flasim për ndryshimin vjetor të grupeve shohim se rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4.2%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3.9%. “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me 3.6 % secila. Po ashtu me rritje u vlerësuan edhe grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.4%, “Veshje dhe këpucë” me 2.9%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Shëndeti” me 2.7 % secila. Ndërkohë, grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Komunikimi” janë rritur më pak se grupet e tjera, nga 0.1% deri në 2%. Nga ana tjetër, vetëm çmimet e grupit “Transportit” paraqiten me rënie në 0.1 %.

Por si renditet Shqipëria mes vendeve të Europës? Sipas shifrave të publikuara konstatojmë një mesatare të rritjes vjetore të çmimeve në Bashkimin Europian përgjatë muajit mars me 2.6%, duke e renditur Shqipërinë poshtë vijës së mesatares së BE-së. Nga ana tjetër, shifrat pozicionojnë Rumaninë, Kroacinë, Estoninë dhe Austrinë si shtetet me rritjen më të lartë të çmimeve për muajin mars të vitit 2024. Rritja e çmimeve në këto shtete ishte afërsisht sa dyfishi i mesatares së BE. Ndërsa në nivel rajonal, në Serbi inflacioni ishte dyfish më i lartë se në vendin tonë. Konkretisht në vendet e rajonit, inflacioni arriti në 5.2% në Serbi, 6% në Malin e Zi dhe 4.5% në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, Turqia vazhdon të mbajë vendin e parë me një normë inflacioni deri në 68% për muajin mars.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Profili i të pandehurit shqiptar/ Mashkull, pa arsim të lartë, i papunë, jeton në qytet dhe nuk është dënuar më parë

Postimi mëparshëm

Shqipëria eksportoi 6.8 miliardë lekë mallra në rajon/ Dobësohen marrëdhëniet me Malin e Zi, forcohen me Bosnje Hercegovinën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.