Raporte

FMN zhvlerëson ekonominë shqiptare/ Vitin e ardhshëm, vendi me rritjen më të ulët në rajon. Ky vit u mbështet nga turizmi dhe real estate

0

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rifreskuar parashikimin për ecurinë e ekonomisë globale, për këtë vit dhe vitet në vijim. Për Shqipërinë projeksionet janë shkurtuar ndjeshëm, ndërkohë që rezulton se për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike do të jetë vetëm pranë 2%, që është edhe rritja ekonomike më e ulët në rajon, së bashku me Bosnje Hercegovinën. Kosova, me një normë pranë 3.5% parashikohet të jetë ekonomia me rritjen më të lartë vitin e ardhshëm, sipas institucionit me bazë në Ëashington. Sa i përket vitit aktual ndërkohë, FMN parashikon një rritje ekonomike pranë 3.7%, që është rritja e dytë më e lartë mes vendeve të rajonit, pas Malit të Zi, që projektohet të rritet me një normë pranë 7.2%.

Parashikimet për Shqipërinë në raportin global të tetorit nga FMN nuk rezultojnë të rifreskuara, por institucioni thekson se projeksionet janë bërë përpara misionit të FMN në vendin tonë, të datës 10 tetor. Por ndërkohë, FMN në deklaratën e përfundimit të misionit ka vendosur edhe projeksionet e reja, dhe që janë më të ulta se ato në raportin global, më saktë 0.3 pikë përqindje më të ulta për këtë vit, dhe 0.5 pikë më të ulta për vitin e ardhshëm. Siç duket edhe nga shifrat, zbarkimi i FMN në terren në vendin tonë ka çuar në një pesimizëm të mëtejshëm, duke shkurtuar edhe më tej projeksionet.

Kujtojmë se në raportin global të kaluar, atë të pranverës, institucioni parashikonte një rritje ekonomike të Shqipërisë pranë 2.8% vitin e ardhshëm, nga 2% që parashikon sot.

“Pas një rimëkëmbje të fortë në 2021-shin, ekonomia shqiptare ka ruajtur momentin e mirë këtë vit, pavarësisht shock-ut në ekonominë globale nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ne projektojmë që ekonomia do të rritet me 3.7% këtë vit, si pasojë e aktivitetit të fortë në turizëm, tregun imobiliar dhe shërbimet. Rritja pritet të ulet pranë 2% në vitin 2023, duke reflektuar shtrëngimin e kushteve financiare, ngadalësimin e Europës dhe tërheqjen e detyrueshme nga mbështetja nëpërmjet politikave”-thotë FMN për Shqipërinë, duke sinjalizuar kështu se viti i ardhshëm do të jetë i vështirë, kryesisht si pasojë e mungesës së mbështetjes nga politikat mbështetëse dhe lehtësuese të qeverisë. Këtë mungesë mbështetje FMN e cilëson si një tërheqje të detyrueshme.

Sa i përket inflacionit, institucioni thekson se do të kulmojë në muajt në vijim, për të filluar tërheqjen vetëm vitin e ardhshëm. Sa i përket politikave monetare, FMN parashikon një rritje të mëtejshme këtë vit dhe vitin e ardhshëm, në dyfishim, deri në 4-4.5% vitin e ardhshëm. Por, sipas deklaratës, ky parashikim për ekonominë shqiptare në tërësi mbetet i pasigurtë, në kahun negativ. Pra, çmimet mund të rriten edhe më tej duke dëmtuar të ardhurat reale dhe perspektivën e rritjes, ndërkohë që shtrëngimi drastik në kushtet globale për financim mund të dëmtojë edhe aksesin e Shqipërisë në financa.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa na vlen puna sot? 1 orë punë për të blerë 10 kokrra vezë. 2 orë punë për vetëm 4 produkte të shportës

Postimi mëparshëm

Lufta ndaj pabarazisë, jemi në fund të Europës/ Raporti i “Oxfam”, dobët me taksimin, të fundit për shërbimet publike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.