Raporte

Lufta ndaj pabarazisë, jemi në fund të Europës/ Raporti i “Oxfam”, dobët me taksimin, të fundit për shërbimet publike

0

Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë sa i përket luftës ndaj pabarazisë ekonomike dhe sociale, thuhet në indeksin e vitit 2022 të angazhimit për uljen e pabarazisë, nga `Oxfam`. Sipas këtij indeksi, Shqipëria renditet në vendin e 76-të në botë, ndër 161 shtete të globit. Në krahasim me vendet e kontinentit të vjetër ndërkohë, vetëm tre shtete të tjera kanë një renditje më të dobët se Shqipëria, dhe ato janë: Armenia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Krahasuar me raportin e kaluar, atë të vitit 2020, vendi ynë renditej në vendin e 80-të në botë, por ndër 158 shtete të marra në analizë, dhe jo 161 si raporti i vitit aktual. Madje, në indeksin e kaluar, në kontinent, vendi ynë mbante pozita disi më të favorshme, pasi linte pas në renditje 4 shtete.

Indeksi i përgjithshëm i angazhimit për uljen e pabarazisë merr në konsideratë tre shtylla kryesore: shërbimet publike, taksat dhe punën. Taksat i referohen regjimit fiskal të një vendi, gjithpërfshirjes së sistemit dhe përjashtimeve apo gabimeve. Puna ndërkohë i referohet drejtësisë dhe barazisë në punë, barazisë gjinore, sindikatave, etj. Sa i përket shërbimeve publike, indeksi merr në konsideratë mënyrën se si qeveri të ndryshme i shpërndarjnë paratë publike, pra nëse merr mbështetje dhe fokus të mjaftueshëm mbrojtja sociale, edukimi dhe aksesi në edukim, shëndetësia dhe aksesi në të nga të gjithë qytetarët, skemat e pensionit, etj.

Rezultatin më të dobët Shqipëria e regjistron në drejtim të taksave, çka na rendit në vendin e 102-të në botë ndër 161 shtete. Indeksi i punës na pozicionon të 79-tët në botë, ndërkohë që rezultatin më të mirë e regjistrojmë në drejtim të shpenzimeve publike, duke u renditur të 70-tët në botë. Por, krahasuar me raportin e kaluar, vëmë re se Shqipëria ka bërë ndjeshëm hapa pas në drejtim të shpenzimeve publike, pasi në edicionin e mëparshëm renditeshim të 59-tët në botë, ndërkohë që ka bërë progres në drejtim të taksave, duke qenë se renditeshim të 124-tit në botë. Sa i përket shërbimeve publike, dhe orientimit të tyre për të gjitha shtresat, për të luftuar pabarazinë, jemi të fundit në Europë.

Në nivel global, në vend të parë, i kurorëzuar kështu si shteti me angazhimin më të madh për të ulur pabarazinë gjejmë Norvegjinë, ndjekur nga Gjermania, Australia, Belgjika dhe Kanadaja. Në kahun e kundërt të tabelës, si vendet më pak të angazhuara për ta luftuar pabarazinë gjejmë Nigerinë, Liberinë dhe Sudanin Jugor.

KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

FMN zhvlerëson ekonominë shqiptare/ Vitin e ardhshëm, vendi me rritjen më të ulët në rajon. Ky vit u mbështet nga turizmi dhe real estate

Postimi mëparshëm

Ku punojnë të huajt në Shqipëri? Gjysma në ndërtim, ndjek arsimi dhe tregtia. Bujqësia, pa interes

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.