Shqipëria 360°

Fieri, Elbasani dhe Tirana, të “persekutuarat” e krizës/ Me rritjen më të ulët të depozitave bankare. Durrësi, Korça, Lezha, të “fituarat”

0

“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë në lidhje me depozitat sipas rretheve, për të kuptuar ato që kanë regjistruar ndryshime të mëdha në tremujorin e 3-të të këtij viti, krahasuar me periudhën para krizës. Në shifrat e Bankës së Shqipërisë rezultojnë vetëm 8 rrethe, të cilat korrespondojnë edhe me 8 qarqe, ndërkohë që 4 të tjerat janë të klasifikuara si “të tjera”. Por çfarë tregon analiza e shifrave?

Ndër 8 rrethet ose qarqet e marra në analizë, 7 prej tyre vihen re me rritje të stokut të depozitave bankare në tremujorin e 3-të, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, pra përpara se vendin ta godiste kriza e çmimeve. Ndërkohë, vetëm njëri prej qarqeve rezulton të ketë tkurrje të depozitave, dhe ai është Fieri. Depozitat bankare në Fier, në fund të 9-mujorit të këtij viti rezultojnë të jenë 0.21% më të ulta se fundi i vitit të kaluar. Në terma absolutë bëhet fjalë për rreth 1.6 miliardë lekë më pak në banka, ose rreth 14 milionë euro. Depozitat i referohen të gjitha segmentëve, pra si individëve, ashtu edhe bizneseve apo institucioneve qendrore e lokale. Në vend të dytë, si qarku me rritjen më të ulët të depozitave bankare këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, përpara krizës, është Elbasani, ku depozitat bankare janë rritur me vetëm 1.43% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Ndjek në renditje kryeqyteti, me vetëm 3,42% rritje të kursimeve në banka. Këto tre qarqe duket të jenë më të goditurat nga kriza, të paktën bazuar në analizën e shifrave mbi depozitat bankare.

Si qarqet apo rrethet me rritjen më të lartë ndërkohë rezultojnë të jenë: Korça, Lezha dhe Durrësi. Në Korçë, depozitat bankare në fund të 9-mujorit janë 5.87% më të larta se fundi i 2021-shit. Në Lezhë rezultojnë 6.62% mbi nivelin e fundivitit 2021, ndërsa në Durrës plot 8.44% më të larta. Qarqet e “tjera” figurojnë me një rritje të depozitave prej 6%.

Në terma absolutë ndërkohë, si qarku me rritjen më të lartë të depozitave figuron kryeqyteti, si pasojë e peshës mjaft të lartë që ka në portofolin e depozitave bankare. Në Tiranë, në 9 muajt e krizës, depozitat bankare janë rritur me plot 23.6 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro.

Kujtojmë se këto shifra i referohen vetëm parave në bankë, dhe jo parasë në total. Shifrat më të fundit nga Banka e Shqiprisë tregonin se paraja jashtë bankave ka rënë ndjeshëm gjatë shtatorit, ashtu si agregatët monetarë, ç`ka sinjalizon qartësisht se paraja po orientohet më shumë drejt bankave, ndoshta rrjedhojë e rritjes së normave të interesit, në një kohë që paraja në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve ka rënë (shiko këtu).

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria e dyta në rajon për numër biznesesh/ 67 ndërmarrje për 1,000 banorë, Mali i Zi kryeson listën me 82 të tilla, Kosova në vend të parafundit

Postimi mëparshëm

Talentet, si renditet Shqipëria? Indeksi global, jemi mirë me aftësitë e tyre, por të paaftë t`i mbajmë dhe tërheqim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.