PopullsiaShqipëria 360°

Sa shqiptarë ndërrojnë qytet në vit? 42 mijë! Gjirokastritët dhe dibranët ikin me “vrap”, tiranasit, durrsakët dhe shkodranët, më “patriotët”

0

Rreth 42 mijë shqiptarë ndryshojnë çdo vit qytet, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave, për vitin 2021. Për vitin 2022 nuk kemi ende statistika zyrtare sa i përket migrimit të brendshëm sipas qarqeve. Bazuar në të dhënat e vitit 2021, `Scan Intel` ka analizuar dhe përpunuar shifrat, për të kuptuar përmasat e migracionit të brendshëm, por edhe qarqet nga ku largimi është më i madh.

Sipas këtyre të dhënave, rezulton se janë 116 shqiptarët të cilët mesatarisht çdo ditë ndryshojnë qytet, ose rreth 5 qytetarë çdo 1 orë. Shifrat janë të ngjashme me ato të migracionit të jashtëm, të cilat tregojnë se për vitin 2022, ishin 127 shqiptarët që iknin jashtë vendit çdo ditë mesatarisht. Madje, nëse krahasimin do ta bëjmë të drejtë, për vitin 2021, me rreth 42 mijë shqiptarë të larguar jashtë, mesatarisht në ditë janë 115 të larguarit. Kjo do të thotë se më shumë janë ata që emigrojnë jashtë se ata që lëvizin brenda vendit.

Po sipas qarqeve, si duket situata? Në terma absolut Tirana është e para, si qarku me më shumë të larguar në një qark tjetër brenda vendit, me mbi 7 mijë individë në vit. Por, kjo shifër është rrjedhojë e popullsisë mjaft të lartë që ka Tirana krahasuar me qarqet e tjera. Nëse analizën do ta bënim në raport me popullsinë, vërejmë se qarku me me shumë të larguar për një qytet tjetër është Gjirokastra, me rreth 35 të larguar në vit për 1 mijë banorë, ose 1940 të larguar për vitin 2021. Në vend të dytë ndjek Dibra, me rreth 34 të larguar çdo 1 mijë banorë, ose 3806 të larguar gjithsej. Ndjek Berati, me 26 të larguar për 1 mijë banorë, Kukësi, me 23 të larguar për 1 mijë banorë dhe Lezha, me 23 të larguar për 1 mijë banorë. Fieri. Korça, Vlora dhe Elbasani vijojnë renditjen me shifrën që varion mes 19 dhe 15 të larguarve për 1 mijë banorë. Shkodra, me vetëm 14 të larguar, Durrësi me 11 dhe Tirana me 8 të larguar për 1 mijë banorë duket të jenë qarqet me pak largime të qytetarëve për një qytet tjetër, e për rrjedhojë ato më `fanatikët` në lidhje me qytetin e tyre, të paktën kur bëhet fjalë për t`u shpërngulur brenda Shqipërisë.

Pra, këto shifra na tregojnë se më shumë shqiptarë zgjedhin të ndërrojnë shtet, se sa të ndërrojnë qytet, ndërkohë që ata që janë më shumë të prirur për të lëvizur nga qyteti i tyre, por për të mbetur në Shqipëri janë gjirokastritët, dibranët dhe beratasit, ndërsa më `fanatikët` me qytetin e tyre janë shkodranët, durrsakët dhe tiranasit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

37.7% e bizneseve bëjnë mbledhje online/ Më pak se mesatarja e BE-së, jemi ndër vendet me normën më të ulët në Europë

Postimi mëparshëm

“Vuloset” Eurobondi 600 milionë eurosh/ Bursa e Londrës: Interes 5.9% dhe maturim 5-vjeçar. I 6-ti në 13 vite

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.