Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve për vitin 2022 e rendit Shqipërinë në vend të 65-të mes 133 vendeve në total të marra në analizë. Ky indeks i publikuar çdo vit nga “Shkolla e Biznesit për Botën”, në bashkëpunim me “Portulans Institute”, një institut i pavarur jofitimprurës, jopartiak kërkimor dhe arsimor me bazë në Uashington, mat se si shtetet rriten, tërheqin dhe ruajnë talentin, duke i siguruar atyre një ambient të përshtatshëm për të zhvilluar strategji dhe për të qenë më të konkurrueshëm. Krahasuar me edicionin e vitit të kaluar shihet se Shqipëria ka patur përmirësime duke u rritur në renditje me 8 pozicione. Gjatë vitit 2021, Shqipëria renditej në vend të 73-të mes 134 vendeve në total.
Po të shohim të gjithë treguesit që indeksi vlerëson, Shqipëria vlerësohet me më shumë pikë në aftësitë profesionale dhe teknike, në vend të 58-të mes 133 shteteve, por sërish në këtë tregues vendet e rajonit kanë vlerësim më të lartë. Po ashtu një renditje pozitive kemi edhe sa i përket rritjes se talentit, për të cilin renditemi në vend të 59-të. Të dhënat e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve për vititn 2022 tregojnë se për indikatorë siç janë ruajtja e talenteve apo aftësitë dhe njohuritë globale Shqipëria vlerësohet më dobët, përkatësisht në vend të 68-të dhe në vend të 85-të në glob.
Në rajon renditjen e kryeson Mali i Zi, i pozicionuar në indeksin e përgjithshëm në vend të 47-të, pasuar nga Serbia në vend të 52. Nga të dhënat duket se Shqipëria ka lënë pas Maqedoninë e Veriut, të renditur në vend të 68 dhe Bosnje Hercegovinën, të renditur në vend të 88-të.
Ndërkohë në nivel global, vendin e parë në këtë renditje e mbajnë vende si Zvicra, Singapori dhe Danimarka.
Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve, 2022
Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve, 2022
Klikoni këtu për raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments