Shqipëria 360°

Ndryshon harta e kriminalitetit në Shqipëri/ Dibra është qarku më i sigurtë, Vlora rikonfirmohet me krimet më të larta

0

Të dhënat e publikuara nga “Prokuroria e Përgjithshme” për vitin 2023, tregojnë se krimi në vendin tonë është ulur. Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 ky koeficient ka qenë 920.

“Scan Intel’’ ka analizuar shifrat për të kuptuar sesi paraqitet harta e krimit sipas qarqeve në vendin tonë. Të dhënat që na vë në dispozicion raporti vjetor i përgatitur nga “Prokuroria e Përgjithshme” rikonfirmojnë qarkun e Vlorës si qarkun me nivelin më të lartë të kriminalitetit në Shqipëri. Në këtë qark përfshihen prokuroritë e shkallës së parë Vlorë dhe Sarandë dhe koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë është 1,301.

Ky nivel i lartë i kriminalitetit ndiqet nga qarku Lezhë, i cili përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe vlera e këtij koeficienti është 1,209. Në vendin e tretë renditet qarku i Gjirokastrës me koeficient të kriminalitetit për 100,000 banorë në 1,154. Ndërkohë, qarqet Tiranë dhe Durrës ky raport i paraqet së bashku dhe koeficienti i kriminalitetit në këto dy qarqe vlerësohet të jetë 917 për 100,000 banorë. ”Listës së zezë” i bashkohet edhe qarku i Shkodrës me koeficient kriminaliteti 844 për 100,000 banorë.

Nga ana tjetër, qarqet si  Kukësi, Korça, Fieri  dhe Berati paraqiten me nivel më të ulët kriminaliteti. Konkretisht, në qarkun Kukës, i cili përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 797. Qarku Korçë, që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, ka koeficient kriminaliteti në 809 për 100,000 banorë. Në qarkun e Fierit koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 758 dhe në qarkun Beratit ky koeficient është 672.

Nga ana tjetër, ky raport paraqet si qarqe më të sigurta Elbasanin dhe Dibrën. Në qarkun Elbasan, që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan, koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 593, ndërsa në qarkun Dibër, që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Mat , koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 523, duke u klasifikuar si qarku me nivelin më të ulët të kriminalitetit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria eksportoi 6.8 miliardë lekë mallra në rajon/ Dobësohen marrëdhëniet me Malin e Zi, forcohen me Bosnje Hercegovinën

Postimi mëparshëm

“Lulëzon” tregu i makinave/ Regjistrohen 47% më shumë se vjet. Importi i mjeteve të transportit, rekord në mars

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.