Shqipëria 360°

Depozitat vijojnë të “fryhen”, – Arrijnë në 1.18 trln lekë në shtator. Lezha “udhëheq” rritjen, me 6.2%

0

Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, depozitat në sektorin bankar kanë vijuar rritjen edhe përgjatë shtatorit, për të 17-tin muaj me radhë. Për shtatorin, totali i depozitave në paranë e gjerë fiksohet në 1.18 trilionë lekë, nga 1.17 trilionë lekë që ishte në muajin gusht. Rritja në terma nominalë fiksohet pranë 0.8%, nga 1.8% që ishte në gusht. Hera e fundit që depozitat fiksoheshin në rënie ishte prilli i vitit 2020. Për të gjithë muajt në vijim indikatori është vënë re në rritje, duke kulmuar në dhjetor të vitit 2020, me një rritje mujore prej 2.6%.

Rritja gjatë shtatorit vihet re për depozitat si në lekë ashtu edhe në valutë. Në total, depozitat Në monedhën vendase fiksohen në 530 mld lekë, ndërsa ato në valutë në 654 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë ka përditësuar të dhënat e depozitave edhe sipas rretheve për tremujorin e tretë të vitit, që përkon pikërisht me fundin e muajit shtator. Shifrat zyrtare, të përpunuara dhe analizuara nga “Scan Intelligence Unit” tregojnë se, Lezha është rrethi me rritjen më të madhe të depozitave në sektorin bankar në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me tremujorin paraardhës, me plot 6.2% rritje. Në këtë renditje ndjek Tirana, me një rritje të depozitave në masën 5.1%. edhe Vlora me Durrësin regjistrojnë një rritje domethënëse, prej 4.4% dhe 3.1% rritje respektivisht. Me një rritje më të vogël ndjekin Fieri, Elbasani dhe Shkodra. Ndërkaq, në vend të fundit në terma të rritjes gjejmë Korçën, me vetëm 0.3%. Asnjë prej rretheve të pasqyruara nga Banka e Shqipërisë nuk regjistron rënie të depozitave bankare gjatë tremujorit të tretë të vitit. Ajo që vihet re nga shifrat është fakti se rrethet/qarqet me rritjen më të madhe te depozitave janë ato turistike për sezonin e verës, përfshirë kryeqytetin, që kanalizon një pjesë të konsiderueshme të vizitorëve. Vlora, Durrësi dhe Lezha janë në krye të listës, dhe janë të treja qytete bregdetare me flukse mjaft të larta të turistëve gjatë sezonit veror. Turizmi duket se ka dhënë një kontribut të ndjeshëm në këtë drejtim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditimi “ringjallet” me vjeshtën,- Huaja për blerje banesash, rekord 6 vjeçar. Ndërtimi dhe energjia elektrike gjithashtu me rekord

Postimi mëparshëm

Spitalet private dalin me humbje, – Pandemia thellon “gropën”, 6 spitale me humbje 20 mln euro në 4 vitet e fundit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.