StudimeTregjet

Spitalet private dalin me humbje, – Pandemia thellon “gropën”, 6 spitale me humbje 20 mln euro në 4 vitet e fundit

0

Vijon analiza e tregjeve në Shqipëri, të kryera nga “Scan Intelligence Unit”, ku këtë herë është marrë në studim performanca financiare e spitaleve private, jo vetëm për vitin pandemik, por gjithashtu edhe për tre vitet e tjera paraardhëse. Në analizë janë marrë gjashtë ndë spitalet kryesore private në vend, dhe që kanë të dhëna të rregullta në “Qendrën Kombëtare të Biznesit”. Spitalet e analizuara nga “Scan Intelligence Unit” janë: “Spitali Amerikan”, “Spitali Gjerman”, “Spitali Salus”, “Spitali Kontinental”, “Spitali Europian”(Villa Maria) dhe “International Hospital” ose ndryshe “Spitali Hygeia”. Si fillim le të shohim performancën financiare të këtyre spitaleve për vitin 2020, për të parë se si ka ndikuar pandemia në këtë sektor. Për vitin 2020, të ardhurat më të larta nga të gjashtë spitalet i regjistron “Spitali Amerikan” me rreth 5.9 mld lekë ose shprehur në valutë rreth 48.5 mln euro. “Spitali Amerikan” ndiqet nga “Hygeia” sa i përket të ardhurave më të larta për vitin 2020, me 2.7 mld lekë. I fundit në renditje me të ardhurat më të ulta është “Spitali Europian” (Villa Maria) me të ardhura në rreth 176 mln lekë. Krahasuar me vitin 2019, të ardhurat e spitaleve private paraqiten me rritje. Rritjen më të madhe të të ardhurave e regjistron “Spitali Europian”, me 114%, i ndjekur nga “Spitali Gjerman’ me 45.8%. Spitali “Hygeia” regjistron rritjen më të ulët të të ardhurave për vitin 2020, krhahasuar me vitin 2019, me vetëm 4.5%.

Po në rast se analizojmë fitimet neto të këtyre gjashtë spitaleve private, si paraqiten të dhënat për vitin 2020? Nga bilancet e analizuara shohim se të gjithë spitalet kanë dalë me humbje, përveç “Spitalit Gjerman”, i cili ka regjistruar fitim për vitin 2020, edhe pse shifra paraqitet e ulët. Fitimi i këtij spitali është 392 mijë lekë përgjatë të gjithë vitit. Po të shohim dhe paraqitjen grafike, humbjet paraqiten më të mëdha në vitin 2019 sesa gjatë vitit 2020. Vetëm “Spitali Salus” ka thelluar humbjen e tij gjatë vitit 2020, me 6.3% më shumë. Humbjen më të madhe për vitin 2020 e ka regjistruar “Spitali Europian” me 161 mln lekë, ose rreth 1.3 milionë euro. Kjo shifër ndiqet nga ajo e “Spitalit Amerikan” me humbje deri në 70 mln lekë, ose rreth 570 mijë euro.

Po nëse llogarisim totalin e fitimeve për spitalet private për katër vitet e marra në studim, si paraqitet kjo shifër? Totali i humbjes për të gjashtë spitalet private të marra bashkë, për katër vite kap shifrën e 2.5 miliardë lekë, ose e shprehur në valutë rreth 20 mln euro. Humbjen më të madhe nga të gjashtë spitalet, për katër vite bashkë e ka “Spitali Europian” me 736 mln lekë.

Le ta kalojmë fokusin e analizës të performancës së këtyre spitaleve ndër vite. Nga të dhënat del se është “Spitali Amerikan” ai që gjeneron të ardhurat më të larta se pesë spitalet e tjera të marra në studim, që nga viti 2018 deri në vitin 2020. Spitalet të cilët paraqiten me të ardhura më të ulta për këto katër vite janë: “Spitali Europian” dhe “Spitali Gjerman”.

Nga ana tjetër, po të flasim për fitimet e këtyre spitaleve, të shtrira në katër vite, vemë re se gati të gjithë spitalet private, në të gjithë vitet e marra në studim paraqiten me humbje. I vetmi që regjistron fitim, pëveç vitin 2018, është “Spitali Gjerman”. Nisur dhe nga të dhënat grafike, shohim se mes këtyre viteve, humbjen më të madhe e ka pësuar “Spitali Hygeia” në vitin 2018-të me një humbje prej 481 mln lekësh, ose 3.9 mln euro. Humbja e dytë më e lartë regjistrohet nga “Spitali Amerikan” në vitin 2017, humbje e cila prek një shifër prej 313 mln lekë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Depozitat vijojnë të “fryhen”, – Arrijnë në 1.18 trln lekë në shtator. Lezha “udhëheq” rritjen, me 6.2%

Postimi mëparshëm

53.9% e fëmijëve shqiptarë në rrezik për të qenë të varfër, jemi vendi me përqindjen më të lartë në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.