Raporte

Çfarë kërkojnë Shqiptarët në Google? “Translate” togfjalëshi më i klikuar. Facebook, Youtube dhe Google faqet e preferuara

0

Ndër matësit kryesorë të audiencave të ditëve të sotme konsiderohen klikimet, majde mund të themi se këto të fundit “flasin” për qasjet, shijet dhe preferencat e shumicës. Digital 2022 i publikuar së fundmi nga Kepios tregon pikërisht faqet dhe togfjalëshat më të kërkuar në platformën Google, numrin total të përdoruesve në internet, rrjete sociale në Shqipëri, referuar vitit që lamë pas.

Praprakisht, mund të themi se i gjithë raporti është organizuar në formën e një renditje dhe indeximi që vlerëson secilën fjalë me pikë, maksimalisht deri në 100 të tilla për togfjalëshin më të klikuar, bazuar edhe mbi rankimet e “Google Trends”. Gjithashtu, frekuenca e përdorimit të këtyre fjalëve, jo domosdoshmërisht është përcaktuese, por tregon një lloj qasje të individëve ndaj tematikave rreth të cilave informohen më tepër shqiptarët.

Kështu, fjala më e kërkuar në “Google” është pikërisht “Translate” vlerësuar me rreth 100 pikë, ndjekur nga “Google” me rreth 76 pikë, si dhe “Google Translate” me 64 pikë. Mes 10 fjalëve më të përdorura gjejmë edhe “In”, “Youtube”, “Albania”, “Moti” apo “Facebook”. Nuk mund të mungojnë edhe kërkimet rreth faqeve mediatike informuese duke përdorur togfjaleshin si “Lajmi i Fundit” apo informacioneve të përgjithshme rreth kursit të këmbimit dhe monedhës së përbashkët nëpërmjet togfjalëshit “Euro”.

“Scan Intel” ka analizuar edhe website-t më të preferuara të shqiptarëve, prej nga rezulton se “Youtube.com” është klikuar mesatarisht gjatë çdo ditë të vitit të kaluar përreth 19 minuta e 22 sekonda ose këta të fundit kanë aksesuar gati 10.5 faqe/ditë. Nuk përbën aspak çudi fakti se të dytët në renditje pozicionohen gjigandet e “Facebook” dhe “Google.com” të klikuar mesatarisht me një kohëzgjatje prej 17 minuta/ditë përgjatë 2021. Lista plotësohet me website-t e mediave informuese nga 3 minuta deri në 10 minuta çdo ditë, “Instagram” i klikuar mesatarisht për rreth 9 minuta/ditë, website të lidhura me veshjen apo stilin dhe të tjera.

Sa më sipër konfirmohet dhe nga shifrat mbi numrin e përdoruesve të internetit gjithsej. Në Shqipëri numërohen rreth 2,07 milionë përdorues të shërbimit të internetit gjithsej, prej nga 1,87 milionë janë përdorues të mediave sociale ose thënë më ndryshe rreth 96% e atyre që kanë akses në rrjet, përdorin rrjete sociale.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kriza nuk dëmton aftësinë paguese/ Kreditë me probleme bien sërish gjatë korrikut, pranë rekordit historik të 14 viteve

Postimi mëparshëm

TVSH, nga 20% në 5.3%/ Lëvizja do të zeronte efektin e “fryrjes” së arkës nga rritja e çmimeve dhe barazonte paketën e solidaritetit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.