Financë

Kriza nuk dëmton aftësinë paguese/ Kreditë me probleme bien sërish gjatë korrikut, pranë rekordit historik të 14 viteve

0

Korriku regjistron muajin e dytë me radhë në rënie për një prej treguesve më të rëndësishëm të shëndetit financiar bankar, atë të kredive me probleme. Kështu, shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë të analizuara nga “Scan Intel” tregojnë se, norma e kredive me probleme për korrikun ka zbritur pranë 5.27%, nga 5.32% që ishte gjatë muajit qershor. Edhe gjatë qershorit vihet re një rënie e treguesit, ndërkohë që gjatë dy muajve paraardhës, atë prill dhe maj, kreditë me probleme regjistroheshin në rritje, duke ngritur edhe shqetësime sa i përket projeksioneve në të ardhmen. Korriku ka risjellë treguesin pranë nivelit më të ulët historik që prej vitit 2008. Në Mars të këtij viti, keditë me probleme zbrisnin pranë 5.24%, ndërkohë që në nëntor të vitit 2008 ishin pranë 5%.

Me krizën financiare globale, ky tregues në vendin tonë pësoi një rritje mjaft të ndjeshme dhe progresive për vite me radhë, për të kulmuar pranë 25% në vitin 2015, duke u kthyer në një shqetësim serioz për bankat, por edhe duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet më problematike në Europë dhe rajon.

Me krizat e njëpasnjëshme që ka kaluar vendi, që nga tërmeti, por sidomos me pandeminë dhe me krizën aktuale të çmimeve, një rritje e ndjeshme e kredive me probleme kishte gjasa të larta të materializohej. Por, ka ndodhur krejt e kundërta, sidomos gjatë pandemisë, ku treguesi për thuajsse 2 vite pësoi një rënie graduale dhe progresive. Ndërkohë, edhe me krizën aktuale të çmimeve dhe të konsumit, pavarësisht luhatjeve të vogla gjatë dy muajve të pranverës, norma e kredive me probleme ka qenë në territor të qendrueshëm, çka sinjalizon jo vetëm një shëndet të mirë financiar të bankave që operojnë në vendin tonë, por edhe moscënim të aftësisë paguese të kredimarrësve, qofshin biznese apo individë. Kjo situatë vjen në një kohë që inflacioni ka prekur nivele rekord maksimale, në 8% për gushtin, që është edhe shifra më e lartë e regjistruar që prej vitit të largët 1998 (shiko këtu).

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni thyen rekord të ri, arrin në 8%/ Niveli më i lartë që prej vitit 1998, por “habisin” disa kategori, si qiraja dhe karburantet

Postimi mëparshëm

Çfarë kërkojnë Shqiptarët në Google? “Translate” togfjalëshi më i klikuar. Facebook, Youtube dhe Google faqet e preferuara

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.