Financë

Më pak prioritet për arsimin, shëndetësinë, ekonominë/ Vëmendje e shtuar për mbrojtjen, analiza ndër vite e shpenzimeve nga buxheti në raport me PBB-në

0

“Scan Intel” ka analizuar shpenzimet buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për të kuptuar tendencën e kanalizimit të shpenzimeve nga qeveria, por edhe peshën e secilit zë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Sa i përket projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, analiza e shifrave tregon se në vend të parë, me diferencë të ndjeshme me zërat e tjerë sipas funksioneve qëndron mbrojtja sociale, që përfaqëson 9.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky zë përfshin një sërë shpenzimesh të konsiderueshme të qeverisë, si pensionet, barrëlindja, pagesat e papunësisë apo ndihmës ekonomike, etj. Në vend të dytë ndjek shëndetësia, ku shpenzimet parashikohen sa 3% e PBB-së për vitin 2023. Vijojnë më pas çeshtjet ekonomike me 2.5% të PBB-së, arsimi me 2.3%, shërbimet e përgjithshme publike me 2.2%, rendi dhe siguria publike, strehimi, me nga 1.7% secila, mbrojtja me 1.2%, argëtimi/kultura me 0.2%, si dhe mbrojtja e mjedisit me vetëm 0.1% të PBB-së. Rreth 7.7% të PBB-së ndërkohë përfaqësojnë shpenzimet e tjera ta paklasifikuara, ku përfshihen ato për pushtetin vendor, rindërtimin, pagesat e borxhit, politikat e pagave dhe fondin rezervë.

Krahasuar me vitin aktual ndërkohë, shohim se kanë rënë shpenzimet për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, nga 3.2%, në 3% për vitin e ardhshëm. Edhe arsimi vihet re në rënie, nga 2.4%, në 2.3%. Rënie e lehtë regjistrohet edhe për argëtimin/kulturën/çështjet fetare, nga 0.3% e PBB-së në vitin 2022, në 0.2% vitin e ardhshëm. Ndërkohë, rritje të shpenzimeve në raport me ekonominë regjistrojnë shpenzimet për mbrojtjen, në 1.2% të PBB-së, nga 1% që projektohen këtë vit. Edhe për rendin dhe sigurinë publike vihet re një rritje e lehtë, me vetëm 0.1 pikë përqindje, njësoj se për shërbimet publike. Për çështjet ekonomike, projektohet 0.2 pikë përqindje rritje dhe për mbrojtjen sociale 0.4 pikë përqindje.

Në rast se analizën e shtrijmë edhe më tej në kohë, të paktën në 6 vite, që prej vitit 2018 shohim se disa nga funksionet e qeverisë kanë pësuar rikonfigurime të theksuara. Më së shumti, si rrjedhojë edhe e peshës që ka në komunitet, në sy bie arsimi, pasi në vitin 2018 shpenzimet për këtë zë ishin sa 2.5% e PBB-së, duke u ngjitur deri në 2.8% në 2020-tën, për të zbritur pranë vetëm 2.3% vitin e ardhshëm. Pas luhatjeve të ndjeshme gjatë pandemisë ndërkohë, zëri i mbrojtjes sociale është rikthyer në nivelet e viteve 2018-2019, ndërkohë që rritje të ndjeshme regjistron mbrojtja. Në vitin 2018, shpenzimet nga buxheti për mbrojtjen ishin sa 0.7% e PBB-së, për t`u ngjitur në plot 1.2% të PBB-së për vitin e ardhshëm, çka sinjalizon një rritje të fokusit të qeverisë ndaj mbrojtjes, por edhe një angazhim pak më të lartë për të arritur detyrimin si vend anëtar i NATO-s, me shpenzimet pranë 2% të PBB-së.

Shpenzimet për shëndetësinë duket se qëndrojnë në nivele të njëjta me vitin 2018, ashtu si ato për argëtimin/kulturën/çështjet fetare si dhe për shërbimet publike, apo mbrojtjen e mjedisit. Rendi dhe siguria publike regjistrohet në rënie krahasuar me 2018-tën, ashtu si çështjet ekonomike, që në 2018-tën përfaqësonin si shpenzime rreth 2.8% të PBB-së, nga 2.5% në 2023-shin.

Pra, në harkun e 6 viteve, duket se vëmendja e qeverisë për arsimin ka rënë ndërkohë që për shëndetësinë nuk është luhatur aspak, pavarësisht sfidave të mëdha që këta dy sektorë përfaqësojnë. Edhe për çështjet ekonomike vëmendja ka rënë mjaftueshëm, ndërkohë që është rritur ndjeshëm fokusi për mbrojtjen.

Shifrat i referohen në të gjitha rastet project-buxheteve të vetë qeverisë shqiptare, së bashku me Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas secilit vit, ku për vitin aktual dhe ta ardhshëm qeveria ka bërë një parashikim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Analiza e tregut të kafesë/ 13 kompani xhirojnë 30 milionë euro në vit, rritën fitimet me 52% në 2021-shin

Postimi mëparshëm

Shqipëria e dyta në rajon për numër biznesesh/ 67 ndërmarrje për 1,000 banorë, Mali i Zi kryeson listën me 82 të tilla, Kosova në vend të parafundit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.