Pak kohë më parë “Scan Intel” përmes të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” në publikimin “Aktivitetet në Internet” ka analizuar si renditet vendi ynë sa i përket përdorimit të internetit për të kryer aktivitete si: e-banking, blerje online apo edhe informim rreth shëndetit. “Scan Intel” i ka analizuar sërish të dhënat e kësaj anketë për vitin 2021, por këtë herë për aktivitete që lidhen më së shumti me rrjetet sociale si dhe me informimin. Si renditen Shqipëria mës vendeve të Europës sa i përket pjesëmarrjes në rrjetet sociale? Të dhënat janë jo pak surprizuese. Shqipëria renditet në vend të 27-të mes 37-të vendeve të marra në analizë në total. Përgjatë vitit 2021, 61% e popullsisë së Shqipërsë të cilët kanë akses në internet janë pjesë e rrjeteve sociale. Në vend të fundit me aktivitetin më të ulët në rrjetet sociale janë Franca dhe Gjermania. Gjatë vitit 2021, 45% e popullisë në Francë kanë qenë pjesëmarrës në rrjetet sociale, ndërkohë që kjo përqindje në Gjermani është 47%. Në anën tjetër të tabelës renditen vende si Islanda, Norvegjia dhe Danimarka.
Por sa % e tyre e përdorin internetin për të kryer telefonata online apo video calls? Shqipëria renditet mes vendeve me përqindjen më të lartë. Janë 78% të individëve të cilët kanë akses me internetin që e përdorin për telefonata. Për këtë tregues vihet re se vendet e rajonit pozicionohen në fillim të listës. Qipro ka përqindjen më të lartë me 85%, ndjekur nga Norvegjia. Në fund të listës gjejmë vende si Polonia dhe Gjermania.
Një nga aktivitetet e tjera të analizuara nga “Scan Intel” është edhe kryerja e kurseve (të lëndëve të ndryshme) online. Të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave” sinjalizojnë se vendi ynë ka përqindjen më të ulët të popullsisë që kryen kurse online me vetëm 3%. Përqindjen më të lartë për këtë tregues e ka Hollanda me 41%. Një tregues tjetër i cili e rendit Shqipërinë në vend të fundit është edhe leximi online i revistave apo gazetave. Të dhënat tregojnë se 46% e popullsisë me akses në internet, në Shqipëri, lexojnë gazeta apo revista online, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 64%. Ndër vendet e para në Europë për këtë aktivtitet është Islanda dhe Norvegjia me 95% dhe 94% respektivisht.
Shqipëria gjithashtu renditet e dyta nga fundi në Europë sa i përket përqindjes së personave të cilët kërkojnë punë online apo dërgojnë aplikimet e tyre për punë. Shifrat tregojnë se vetëm 5% e tyre kanë kërkuar punë online gjatë vitit 2021, ndërkohë që përqindja më e ulët regjistrohet në Bosnje Hercegovinë me 4%. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 13%, ndërkohë që përqindja më e lartë regjistrohet në vende si Danimarka dhe Finlanda me 36% dhe 34% përkatësisht.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments