Financë

Rriten depozitat bankare për të tretin muaj radhazi/ Arrijnë në 1.28 trilionë lekë, rreth 16.6 mld lekë më shumë se shtatori

0

Sipas shifrave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, depozitat në sektorin bankar gjatë tetorit janë rritur. Pas tkurrjes së korrikut, tetori rezulton muaji i tretë me radhë me treguesin në zgjerim. Kështu, gjatë muajit të 10-të të vitit, depozitat në paranë e gjerë janë ngjitur në rreth 1.28 trilionë lekë, në rritje me vetëm 1.31% krahasuar me shtatorin, ose me rreth 16.6 miliardë lekë në terma absolut.

Përsa i përket tendencës së valutës, depozitat në lekë janë rritur krahasuar me shtatorin, duke u ngjitur në 544.96 miliardë lekë, nga 541.84 miliardë që ishin gjatë shtatorit. Ndryshe nga muaji i kaluar, edhe depozitat në valutë kanë pësuar rritje, pranë 735.93 miliardë lekëve, nga 722.48 miliardë lekë që ishin muajin paraardhës.

Nga ana tjetër, indikatori M1 i agregatëve monetarë, që përfshin paranë jashtë bankave dhe llogaritë pa afat të rezidentëve jo banka, pra që tregon paranë në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve është rritur gjatë tetorit, pranë 715 miliardë lekëve, nga rreth 709 miliardë lekë që ishte gjatë shtatorit. Edhe agregatët e tjerë monetarë që masin paranë në qarkullim, ai M2 dhe M3 por edhe ai i parasë së gjerë kanë regjistruar rritje gjatë tetorit.

Të tjera të dhëna zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se indikatori i parasë jashtë bankave është rritur pranë rreth 375 miliardë lekëve gjatë tetorit, nga 373 miliardë lekë që ishte në shtator, duke u rritur me rreth 0.66% apo 2.4 milairdë lekë.

Këto shifra tregojnë se, ndryshe nga shtatori, kur paraja në banka zgjerohej por agregatët monetarë pësonin rënie, gjatë tetorit, të gjithë treguesit janë me rritje, çka sinjalizon se nuk është rritur vetëm paraja e depozituar në banka, por edhe ajo në qarkullim dhe dispozicion.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Korrupsioni, Shqipëria me rrezik të lartë/ Renditet e 127-ta në botë, mes 4 shteteve më problematike në Europë

Postimi mëparshëm

Tregtia, rënie mbi 20% këtë vit/ Vetëm transporti ajror me rritje, sidomos për pasagjerët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.