Tregti

Tregtia, rënie mbi 20% këtë vit/ Vetëm transporti ajror me rritje, sidomos për pasagjerët

0

Çmimet duket se vijojnë të dobësojnë tregtinë e jashtme edhe përgjatë muajit tetor të vitit 2022. Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” flasin për një rënie të volumit të mallrave të transportuara në rrugë detare dhe gjithashtu për një rritje modeste të volumit të tyre nëse flasim për rrugët hekurudhore dhe ajrore. Transporti i mallrave në rrugë detare, i cili zë edhe peshën më të madhe, ka pësuar rënie deri në 31.2%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Sa i përket volumit të mallrave të transportuara në rrugë hekurudhore rritje vjetore e tyre regjistrohet në 0.3%, ndërkohë që në rrugë ajrore regjistrohet në 14.4%. “Scan Intel” e ka analizuar transportin e mallrave edhe përgjatë dhjetë muajve të vitit nga ku vihet re se volumi i mallrave si në rrugë detare po ashtu edhe në rrugë hekurudhore ka pësuar rënie me 20.3% dhe 25,6%. Por jo të njejtin tendencë ka regjistruar volumi i mallrave të transportuara me ajër ku përgjatë dhjetë muajve rritja shënohet në 2.3%.

Nëse do të shohim transportin e pasagjerëve, shifrat janë pozitive. Numri i pasagjerëve në tetor të këtij viti ka shënuar rritje si në linja detare po ashtu edhe në linja ajrore. Të dhënat tregojnë se rritjen më të madhe e kanë regjistruar pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja detare, me 63.8%, krahasuar me tetorin e një viti më parë. Pasagjerët në linja ajrore po ashtu kanë shënuar rritje me 63.3% gjatë tetorit, ndërkohë që me rënie paraqiten pasagjerët e linjave hekurudhore, me -74.4%. Por si paraqiten shifrat për periudhën janar-tetor? Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se rritjen më të madhe gjatë kësaj periudhe e kanë pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja ajrore, me 82.9%, ndërsa pasagjerët në linja detare janë rritur me rreth 62%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Numri i fluturimeve ashtu si ai i pasagjerëve paraqitet pozititv edhe përgjatë tetorit të këtij viti. Fluturimet e kryera janë 3,408 duke pësuar rritje me 30.2%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje vërehet edhe përgjatë dhjetë muajve të vitit, me 52.4%. Këto ndryshime pozitive si në numër pasagjerësh ashtu edhe në numër fluturimesh mbështeten edhe nga të dhënat e lëvizjes së shtetasve të publikura pak ditë më parë po nga i njejti institucion.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten depozitat bankare për të tretin muaj radhazi/ Arrijnë në 1.28 trilionë lekë, rreth 16.6 mld lekë më shumë se shtatori

Postimi mëparshëm

Moody`s “rrëzon” ekonominë shqiptare/ Shkurton projeksionet dhe jep alarmin për rrezikun nga përmbytjet dhe emigrimi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.