“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sa i përket importit të kafes ndër vite, dhe ato të rritjes ekonomike të vendit, për të kuptuar a ka një korrelacion mes dy indikatorëve. Rezultati është jo pak surprizues. Në analizë janë marrë 8 vitet e fundit, pra nga viti 2014 deri në vitin 2021. Analiza e shifrave tregon se me përjashtim të një viti të vetëm, importi i kafes, ose konsumi ka një lidhje të drejtë me rritjen ekonomike të vendit.
Kështu, në vitin 2014, Shqipëria importonte 7412 ton kafe, dhe regjistronte një rritje ekonomike pranë 1.8%. Në vitin 2015 importi i kafes rritej në 8606 ton, dhe gjithashtu edhe termat e rritjes ekonomike ngjiteshin pranë 2.2%. E njëjta situatë regjistrohet edhe një vit më vonë, me importin e kafes në rritje, pranë 8895 tonëve, dhe rritjen ekonomike pranë 3.3%. Ky korrelacion bëhet edhe më i theksuar mes viteve 2018-2021. Në vitin 2018 importi i kafes rritej krahasuar me vitin paraardhës, pranë 9334 ton, ndërkohë që rritja ekonomike ngjitej po ashtu, në 4%. Në 2019-tën, importi i kafes binte ndjeshëm, në 8616 ton, ndërkohë që rritja ekonomike thuajse përgjysmohej, në 2.1% në 2020-ën, vitin e pandemisë, importi i kafes binte edhe më tej, pranë 7471 tonëve, ndërkohë që ekonomia zhytej në recesion. Në 2021-shin, importi ngjitej në 8941 ton, dhe ekonomia rritej me plot 8.5%.
Siç e tregojnë shifrat dhe paraqitja grafike, përjashtimi i vetëm është viti 2017, kur importet e kafes në vend binin nga rreth 8900 ton, pranë rreth 8500 tonëve, dhe rritja ekonomike ngjitej nga 3.3%, në 3.8%.
Me përjashtimin e vetëm të vitit 2017, shifrat tregojnë se konsumi i kafes në vendin tonë ka një lidhje thuajse të drejtë me rritjen ekonomike, duke qenë kështu një sinjal i qartë i zhvillimit ekonomik në një periudhë të caktuar, dhe e anasjellta.
Në këtë analizë kemi marrë pikërisht kafen si produkt duke qenë se përfaqëson një kulturë thuajse institucionale në vendin tonë. Numri i bar/kafeve në Shqipëri është më i larti në Europë në raport me popullsinë, çka tregon se konsumi i kafes është i lidhur ngushtë me faktorë dhe fenomene sociale, por edhe ekonomike. Nga ana tjetër bëhet fjalë për një produkt importi, çka përkthehet direkt në totalin e konsumit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments