Financë

“Fabula” e buxhetit 2023/ Qeveria me kursim, qytetarët dhe biznesi me harxhim, të ardhurat rriten dyfishin e shpenzimeve

0

“Scan Intel” ka analizuar disa nga indikatorët kryesorë të projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm, për të kuptuar tendencën e kanalizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të qeverisë, nëpërmjet ligjit më të rëndësishëm të shtetit, siç është buxheti.

Shifrat tregojnë se të ardhurat në total, do të rriten me 9.5% krahasuar me planifikimin e buxhetit të vitit aktual, atë të rishikuar në korrik të këtij viti. Nga 576.8 miliardë lekë të ardhura të planifikuara për t`u mbledhur në buxhetin e vitit aktual, vitin e ardhshëm, qeveria parashikon të mbledhë plot 631.7 miliardë lekë.

Sa i përket vetëm të ardhurave tatimore nga buxheti i shtetit, duke përjashtuar pushtetin vendor, pra ato që mblidhen në arkën e shtetit nëpërmjet taksave dhe tarifave të organeve qendrore, pritet të rriten me plot 9.2%, nga 395 miliardë lekë këtë vit, në 431.2 miliardë lekë vitin e ardhshëm. Pra, qeveria shqiptare planifikon të mbledhë rreth 36 miliardë lekë më shumë nga qytetarët dhe bizneset vitin e ardhshëm, krahasuar me këtë vit, çka përkthehet në rreth 300 milionë euro më shumë. Rritja e mëtejshme e të ardhurave tatimore në arkën e shtetit parashikohet edhe pse ky vit ka sjellë një tejkalim të ndjeshëm të pritshmërive dhe të vitit paraardhës. Kujtojmë se në vitin 2021 të ardhurat tatimore në buxhetin e shtetit planifikoheshin pranë rreth 320 miliardë lekëve, çka do të thotë se në harkun e vetëm dy viteve rezultojnë në parashikim rreth 110 miliardë lekë më shumë nga tatimet, ose thuajse 1 miliard euro më shumë në dy vite, rreth 940 milionë euro saktësisht.

Nga krahu tjetër i tabelës ndërkohë kemi shpenzimet, pra paratë që qeveria kthen mbrapsht për qytetarët. Ndërkohë, që të ardhurat parashikohet të rriten mbi 9%, shpenzimet planifikohet të rriten me vetëm 4%, duke ngushtuar ndjeshëm edhe defiçitin buxhetor për vitin e ardhshëm, nga 83.8 miliardë lekë, në 55.5 miliardë lekë.

Në terma makro, buxheti i vitit të ardhshëm duket të jetë një buxhet kursimi për qeverinë, por jo për qytetarët dhe biznesin, të cilët do i japin më shumë arkës së shtetit, për të marrë mbrapsht “më pak”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni sipas Instat, me “metrin” e Eurostat/ Vazhdojnë pikëpyetjet, qiratë e shtëpive rezultojnë vetëm 2% më të larta se vjet

Postimi mëparshëm

Rriten azilantët shqiptarë/ Mbi 7 mijë aplikime në shtatë muaj, Shqipëria kryeson rajonin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.