Emigracioni

Rriten azilantët shqiptarë/ Mbi 7 mijë aplikime në shtatë muaj, Shqipëria kryeson rajonin

0

Numri i shqiptarëve azilantë që trokasin nëpër dyert e Europës rezulton me rritje edhe përgjatë muajit korrik të këtij viti. Kështu, të dhënat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA) tregojnë se korriku regjistron 1.099 kërkesa për azil në total nga shtetas shqiptarë. Këto kërkesa ndahen në 891 kërkesa për herë të parë dhe 208 kërkesa përsëritëse. Shifrat e korrikut flasim për numër më të lartë kërkesash krahasimisht me një vit më parë, por edhe krahasuar me muajin paraardhës. Krahasuar me korrikun e vitit 2021 numri i aplikimeve për azil nga shqiptarët është rritur me 10.8%, ndërsa krahasuar me muajin qershor numri është rritur me 2.5%. Shifrat tregojnë se pavarësisht rritjes krahasuar me vitin e kaluar numri i kërkesave nuk e ka tejkaluar periudhën para pandemisë. Të dhënat tregojnë se gjatë korrikut të vitit 2019-të regjistrohëshin gjithsej 1,995 aplikime për azil nga shqiptarët.

“Scan Intel” e ka analizuar këtë tregues edhe përgjatë shtatë muajve, pra për periudhën Janar-Korrik, ku gjithsej regjitrohen 7,079 aplikime nga 3,980 aplikime që ishin gjatë shtatë muajve të vitit 2021. Ky tregues rezulton të jetë rritur me 73.8%.

Nëse Shqipërinë do ta krahasonim me vendet e rajonit shohim se edhe për muajin korrik vendi ynë kryeson listën me shifrën më të lartë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 277 aplikime dhe Serbia me 241 aplikime. Kosova për korrikun ka regjistruar 241 kërkesa, ndërkohë që vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 127 dhe 15 kërkesa përkatësisht.

Të dhënat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA) bëjne më dije se kërkesat për azil gjithsej në vendet e Bashkimit Europian përgjatë korrikut arritën në 72,800 aplikime. Ky ishte muaji i tretë radhazi me mbi 70 000 aplikime, diçka që nuk është parë që nga kriza e refugjatëve 2015/2016. Po ashtu mes reshtash raporti tregon se Shqipëria është ndër vendet me normat më të ulta të njohjes, ndërkohë që shumica e vendimeve pozitive u janë dhënë sirianëve dhe pothuajse të gjitha ukrainasve u është dhënë mbrojtje shtesë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Fabula” e buxhetit 2023/ Qeveria me kursim, qytetarët dhe biznesi me harxhim, të ardhurat rriten dyfishin e shpenzimeve

Postimi mëparshëm

Blerjet online, Shqipëria në fund të Europës/ EUROSTAT: Vetëm 17% e shqiptarëve blenë mallra dhe shërbime online gjatë vitit 2021

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.