Raporte

5 rreziqet kryesore për ekonominë shqiptare/ WEF: Sëmundjet, siguria kibernetike, inflacioni, kriza e lëndëve të para, “grabitja” e aseteve

0

Edhe këtë vit, Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka publikuar raportin e rreziqeve për ekonominë globale. Mes vendeve të marra në analizë është edhe Shqipëria, për të cilën radhiten 5 rreziqet më të mëdha. Sëmundjet infektive vlerësohen si rreziku numër një i ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti por edhe atij të ardhshëm. Pas dy vitesh pandemi, si pasojë e covid-19, duket se pasiguritë në lidhje me kërcënime të tilla ose të ngjashme vijojnë të jenë të pranishme. Në vend të dytë radhitet sërish një tjetër kërcënim me të cilin ekonomia shqiptare është përballur, dhe Forumi Ekonomik Botëror i referohet si: dështimi i masave të sigurisë kibernetike. Rreziku numër tre është inflacioni. Edhe këtu jemi në kontekstin e një sfide të madhe aktuale, të nisur që prej vitit të kaluar. Në vend të 4-tët renditet kontestimi gjeopolitik i resurseve, si rrezik madhor për ekonominë shqiptare. Një tjetër rrezik i madh për ekonominë e vendit, renditur në vend të 5-të, konsiderohet edhe një krizë e rendë furnizimi me lëndë të parë. Edhe kjo e fundit ka ka dhënë disa sinjale gjatë vitit të kaluar, por fatmirësisht mbeti në pjesën më të madhe një alarm i rremë. Rreziku duket se mbetet madhor edhe këtë vit, sidomos për ekonomi si e jona, të varura nga importi, jo vetëm për lëndë të para si hidrokarburet, por deri te ushqimi, siç janë drithërat.

Ky raport dhe rreziqet e renditura për ekonominë e secilit vend bëhen në formën e një ankete mbi 12 mijë individë nga bota akademike, e biznesit apo politikbërjes. Në fokus janë 124 shtete të botës, dhe anketa është zhvilluar mes datave 7 shtator dhe 5 tetor të vitit të kaluar. Të përzgjedhurit në Shqipëri i janë përgjigjur pyetjes se cilat ndër 35 rreziqet e listuara vlerësojnë si më kërcënueset për ekonominë e vendit gjatë 2 viteve në vijim. Instituti për Studime Bashkëkohore dhe Tirana Business University janë partnerët nga Shqipëria të Forumit Ekonomik Botëror në këtë studim.

Publikimi është i përvitshëm, dhe një vit më parë, ishin listuar gjithashtu 5 kërcënimet kryesore për ekonominë e vendit, ku vihet re se disa prej tyre janë materializuar, si dështimi i masave të sigurisë kibernetike. Ky kërcënim mori përmasa serioze me sulmet e njëpasnjëshme kibernetike kryesisht ndaj enteve publike. Frakturat në marrëdhëniet ndërshtetërore vlerësosheshin një vit më parë si rreziku numër një. Edhe në këtë pikë, përplasja e fortë diplomatike me vende si Irani u materializua. Kriza e borxhit në ekonomitë e mëdha, sëmundjet infektive, dhe dëmet ambientale të shkaktuara nga njeriu ishin ndër ato që një vit më parë vlerësoheshin si rreziqet më të mëdha të ekonomisë shqiptare në dy vitet në vijim.

Në rang global ndërkohë, 5 rreziqet më të mëdha vlerësohen: kriza e kostove të jetesës, katastrofat natyrore, përplasjet gjeoekonomike, dështimi për të adresuar ndryshimet klimatike, erozioni i kohezionit social dhe polarizimi social.

KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, e fundit, Kosova, e para/ BB shkurton projeksionet. Këtë vit do jemi vendi me rritjen më të ulët ekonomike në rajon

Postimi mëparshëm

Çfarë cilësie ka vaji i ullirit shqiptar? Sipas një renditje globale, ndër më të dobëtat, pozicionohemi të 32-tët mes 38 shteteve prodhuese

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.