Teknologji

37.7% e bizneseve bëjnë mbledhje online/ Më pak se mesatarja e BE-së, jemi ndër vendet me normën më të ulët në Europë

0

Vetëm 37.7% e ndërmarrjeve me mbi 10 të punësuar kanë zhvilluar takime online me punonjësit e tyre, përgjatë vitit 2022, tregojnë të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave”. Kjo normë është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila regjistrohet në 50%.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet e parafundit duke lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën, e cila e ka këtë tregues në 34.2%. Serbia kryeson rajonin me normë të ndërmarrjeve të cilat kanë kryer takime online për vitin 2022 në 41%. Ndjek në renditje Mali i Zi me 40.7%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 37.9%.

Mes vendeve të BE-së, shihen diferneca në përqindjen e ndërmarrjeve që e kanë përdorur internetin për takime online. Normat më të larta u regjistruan në Suedi me 79.4% dhe Finlandë me 78.5%, e ndjekur nga Danimarka me 78.0%, Malta me 68.3% dhe Irlanda me 63.6%.

Në anën e kundërt të tabelës, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Bullgari me 28.2%, Hungaria me 29.4%, Turqia me 30.4% Rumania me 31.2% dhe Greqia me 32.9%.

Nga analiza e “Scan Intel” vihet re përqindja e ndërmarrjeve, me mbi 250 punonjës, që kanë zhvilluar takime online është më e lartë në të gjitha vendet e Europës, se ndërmarrjet me më pak të punësuar. Kjo pasi për ndërmarrjet e mëdha takimet ose mbledhjet online janë më efikase. Rreth 82.5% e këtyre ndërmarrjeve në Shqipëri kanë zhvilluar takime online përgjatë vitit 2022. Për këtë tregues të dhënat thonë se në rajon Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë normën më të lartë. Pason në renditje Serbia me 82.4%, Mali i Zi me 81.1% dhe Bosnje Hercegovina me 73.4%. Mesatarja e Bashkimit Europian vlerësohet në 93%, ndërkohë renditjen e kryeson Danimarka me 99.7%.

Sipas raportit të publikuar nga EUROSTAT pandemia e COVID-19 ndryshoi modelet e punës dhe bëri që shumë ndërmarrje t’u drejtohen takimeve virtuale për të kapërcyer distancën fizike dhe për të ruajtur bizneset e tyre.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bie borxhi i jashtëm/ Me 64 milionë euro në TI, qeveria fiton 15 milionë euro nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit

Postimi mëparshëm

Sa shqiptarë ndërrojnë qytet në vit? 42 mijë! Gjirokastritët dhe dibranët ikin me “vrap”, tiranasit, durrsakët dhe shkodranët, më “patriotët”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.