Financë

Bie borxhi i jashtëm/ Me 64 milionë euro në TI, qeveria fiton 15 milionë euro nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit

0

Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka rënë pranë nivelit më të ulët që prej tremujorit të tretë të vitit 2021. Sipas shifrave zyrtare nga Banka e Shqipërisë në lidhje me stokun e borxhit të jashtëm, niveli i borxhit në vendin tonë fiksohet pranë 9.73 miliardë eurove gjatë tremujorit të parë të vitit, nga rreth 9.8 miliardë euro që ishte në fund të vitit të kaluar dhe duke i`u larguar edhe më shumë rekordin maksimal të prekur në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, pranë rreth 9.9 miliardë eurove, sinjalizojnë shifrat e analizuara nga `Scan Intel`.

Në terma tremujorësh, borxhi i jashtëm i vendit ka rënë me 0.6%. Po në terma tremujorësh, por në absolut, rënia fikoshet pranë rreth 64 milionë eurove në harkun e tre muajve.
Sa i përket strukturës së borxhit të jashtëm, shifrat tregojnë se ai i qeverisë së përgjithshme ka rënë pranë 4.6 miliardë eurove gjatë tre muajve të parë të vitit, nga rreth 4.69 miliardë euro që ishte në fund të vitit të kaluar, pra në rënie me 1.7%, ose rreth 79 milionë euro. Borxhi i koorporatave depozituese ndërkohë, ku nuk përfshihet Banka Qendrore ka ndjekur një trend të kundërt, duke u rritur në tremujorin e parë të vitit, me thuajse 1%, dhe duke u ngjitur pranë 1.69 miliardë eurove. Edhe për sektorët e tjerë borxhi i jashtëm është regjistruar në rritje gjatë tremujorit të parë të vitit.

Siç e tregojnë qartë shifrat, borxhi i jashtëm ka regjistruar një rënie të lehtë në periudhën janar-mars të këtij viti, falë tkurrjes së borxhit të qeverisë, ndërkohë që bankat dhe sektorët e tjerë kanë rritur stokun e tij. Rënia e përgjithshme e borxhit është edhe rrjedhojë e lëvizjeve të mëdha në kursin e këmbimit valutor, sidomos mes euros dhe lekut. Ky ndikim vlerësohet në rreth 15 milionë euro nga totali prej 64 milionë eurosh që vlerësohet rënia e Borxhit të Jashtëm Bruto në tremujorin e parë të vitit.

Borxhi i jashtëm bruto i vendit ka zbritur kështu pranë 51.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 53.5% që ishte në fund të 2022-shit, tregojnë shifrat. ‘

Kujtojmë se Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë përfshin edhe privatin, jo vetëm sektorin publik. Sa i përket ndarjes së tij sipas monedhave, shohim se 68% përbëhet nga monedha e përbashkët europiane, ose në masën 6.63 miliardë euro, 9% është në dollarë amerikan, ose 917 milionë euro dhe 983 milionë euro në SDR, ndërkohë që pjesa e mbetur, rreth 12% është në valuta të tjera. Nga ana tjetër, 88% e borxhit të jashtëm të vendit është borxh afat-gjatë, edhe pse është tkurrur me rreth 70 milionë euro gjatë periudhës kohore në fjalë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Viti nis me rënie të pagave/ Bien me 2% në total dhe me 2.5% në shtet, mesatarja pranë 64,706 lekë

Postimi mëparshëm

37.7% e bizneseve bëjnë mbledhje online/ Më pak se mesatarja e BE-së, jemi ndër vendet me normën më të ulët në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.