Arsim

Më shumë interes për arsimin profesional/ Bie numri i regjistrimeve, por rritet pesha kundrejt arsimit të mesëm në total

0

Arsimi dhe formimi profesional padyshim që prodhon forcën punëtore të së ardhmes dhe mund të themi se luan një rol kyç në gjenerimin e punësimit, në rritjen ekonomike dhe në stabilitetin social.

“Scan Intel”, nisur nga publikimi më i fundit i INSTAT mbi arsimin, ka analizuar tendencën ndër vite të regjistrimeve në arsimin profesional në vendin tonë. Referuar të dhënave, duket se numri i regjistrimeve në arsimin profesional në vend ka ardhur në tkurrje, duke u prekur kështu nga ritmet rënëse të shifrave të arsimit në përgjithësi, si pasojë e ndryshimeve demografike. Në vitin shkollor 2023-24 janë regjistruar në arsimin profesional 16,407 nxënës nga 16,813 që ishin në vitin paraardhës. Pra, numri i regjistrimeve ka rënë me 2.4%.

Po ashtu, në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë 91,755 nxënës gjithsej, duke shënuar një ulje prej 4.3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Duke qenë se kanë rënë regjistrimet paralelisht në të gjitha programet, analiza më e saktë do të ishte po të llogarisnim peshën që zënë regjistrimet në arsimin profesional ndaj totalit të regjistrimeve në arsimin e mesëm. Në këtë rast ky tregues shfaq një trajektore pa shumë luhatje vitet e fundit, megjithatë në vitin shkollor 2023-24 pesha e nxënësve në arsimin profesional është rritur, nga 17.5%, në 17.9%, pra me 0.4 pikë.

Në vitin 2023-24, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82.1%. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë ndjek arsimin në institucionet arsimore publike me rreth 85% të totalit.

Le të shohim nga ana tjetër si paraqiten të dhënat sa i përket regjistrimeve në programet 2-vjeçare të arsimit të lartë. Sërish të dhënat tregojnë për një rënie të numrit, por një rritje të peshës ndaj totalit të regjistrimeve në arsimin e lartë. Në vitin akademik 2023-24, numri i studentëve të regjistruar në programet 2-vjeçare ishte 6,748, me një peshë prej 5.8%, nga 5.7% dhe 5.5% që ishte në 2 vitet paraardhëse.

Sipas të dhënave në shkollat profesionale në të gjithë vendin janë përfshirë mbi 20 drejtime mësimore, dhe profile profesionale kryesisht në hoteleri-turizëm, shkenca kompjuterike, shkenca mekanike, tekstile, etj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Zbuten” më tej çmimet në Prill/ Inflacioni arrin në 2.1%. Grupi “Transporti” i rikthehet rritjes pas 13 muajsh

Postimi mëparshëm

Cili sektor po financohet më shumë nga qeveria? 1/3 e shpenzimeve, për mbrojtjen sociale. Më pak për çështjet ekonomike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.