Tregti

Cilat shtete i “braktisën” produktet shqiptare? Forcimi i lekut, Kosova, Gjermania, RMV dhe Kina, vendet me rënien më të madhe të eksporteve në Prill

0

Zhvlerësimi i ndjeshëm i monedhës së përbashkët europiane kundrejt lekut vendas gjatë muajve të fundit, si dhe paralajmërimet e prodhuesve dhe eksportuesve për dëmin që i shkaktohet biznesit të tyre dhe ekonomisë së vendit nga kjo ecuri e kursit të këmbimit, janë reflektuar më së miri te shifrat e tregtisë së jashtme për muajin prill. Eksportet kanë pësuar një rënie të ndjeshme, si në peshë ashtu edhe në vlerë gjatë muajit të 4-tët të vitit, dhe “goditjen” më të madhe duket se e ka marrë industria fasone.

Por, cilat janë shtetet që i “braktisën” produktet shqiptare si pasojë e forcimit të lekut? `Scan Intel` ka bërë një analizë mbi shifrat e prillit të këtij viti sa i përket eksporteve në volum sipas shteteve, për t`i krahasuar ato me mesataren historike që prej vitit 2012, pra do të krahasojmë ndryshimin ne volumin e eksporteve mes mesatares prill 2012-prill 2022 dhe prillit të vitit 2023.

Mes partnerëve tanë më të mëdhenj tregtarë, duket se shteti me rënien më të madhe të eksporeteve në peshë në prillin e këtij viti është Kosova, që ka importuar plot 33.8% më pak produkte shqiptare krahasuar me mesataren historike. Kosova është partneri i dyrtë më i madh tregtar i Shqipërisë në terma eksportesh.

Por, cilat janë produktet kryesore “Made in Albania” që janë importuar më pak nga Kosova gjatë këtij prilli krahasuar me muajt prill të viteve të mëparshme? Shifrat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se mes 10 produkteve kryesore të eksportit të Shqipërisë drejt Kosovës në vlerë, rënien më të madhe në peshë e regjistrojnë produktet si Giza dhe çeliku, kripërat, sulfuret, oksidet, makineritë, lëndët djegëse si dhe alumini.

Pas Kosovës ndjek Gjermania, me 19.4% rënie, dhe vijon Spanja, me 17.9% rënie, si dhe Kina me Maqedoninë e Veriut, me nga 17.1% dhe 16.3% rënie, mes 10 partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Nga ana tjetër, Italia, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi nuk janë stepur aspak nga forcimi i lekut vendas. Madje, në rastin e Serbisë, eksportet rezulojnë të jenë rritur me plot 264% në prill të këtij viti krahasuar me mesataren historike të 11 viteve të mëparshme. Rënie të ndjeshme ndërkohë regjistrojnë edhe Franca dhe Turqia, me mbi 60%, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rënia e ndjeshme e eksporteve shqiptare gjatë muajit të kaluar, përfshirë vendet e lartpërmendura, veç mbiçmimit të lekut kundrejt dy valutave kryesore, mund të ketë pasur edhe shkaqe të tjera të tregut, por kursi i këmbimit padiskutim që vlerësohet të ketë pasur ndikimin kryesor, duke i bërë produktet “Made in Albania” më pak të konkurrueshme.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi “zgjeron” rritjen në mars/ Rreth 40% më shumë vizitorë të huaj se vitin e kaluar në hotele

Postimi mëparshëm

Të rinjtë po i “largohen” ekonomikut dhe juridikut/ Bien me 14% diplomimet në këto degë, rriten në `Inxhinieri`, `IT` dhe `Shkenca natyrore`

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.