Ekonomi

Familjet me arsim 8/9 vjeçar rrisin konsumin/ Rreth 14% më shumë në vitin 2022, ato me arsim të mesëm dhe të lartë konsumuan më pak

0

Niveli i arsimimit konsiderohet si një ndër faktorët kyç të zhvillimit të mirëqenies qoftë në aspektin individual apo edhe atë familjar. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, mbi shpenzimet sipas nivelit arsimor të kryefamiljarit, rezulton se në vitin 2022, familjet që kishin kryefamiljar me arsim 8-vjeçar shpenzuan më shumë se një vit më parë.

‘Scan Intel’ ka përpunuar këto të dhëna dhe ka bërë një analizë përsa i përket ndryshimeve vjetore të këtyre shpenzimeve për familjet shqiptare sipas nivelit të arsimit që gëzon kryefamiljari i saj.

Në terma vjetorë rezulton se ndryshimet më të mëdha të këtyre shpenzimeve i kanë shënuar familjet kryefamiljari i të cilave ka arsim 8-vjeçar. Kjo kategori është e vetmja që ka pësuar rritje. Nëse do të analizonim shifrat që i përkasin vitit 2021 dhe 2022, shpenzimet e familjeve ku kryefamiljari është me arsim 8-vjeçar janë rritur me 14% përgjatë këtyre dy viteve, ndërsa për dy kategoritë e tjera, pra për ato familje ku kryefamiljari është me arsim të mesëm apo të lartë, shpenzimet vjetore janë ulur me 3% dhe 2% respektivisht.

Konkretisht në vitin 2022, familjet me kryfamiljarë me arsim 8-vjeçar shpenzuan 85,388 lekë në muaj, familjet me kryefamiljar me arsim të mesëm shpenzuan 85,175 lekë në muaj dhe familjet me kryefamiljar me arsim të lartë shpenzuan 107,233 lekë në muaj. Ndërkohë, sa i përket ndryshimit vjetor të shpenzimeve totale për konsum themi se ato janë rritur me 5%.

Në një analizë më të gjerë, duke konsideruar të dhënat e shpenzimeve mujore për secilin qark, rezulton se në qarkun e Kukësit familjet të cilat kanë një kryefamiljar me arsim 8-vjeçar po shpenzojnë 27.8% më shumë në muaj duke e renditur atë si qarkun me rritjen më të lartë vjetore.

Në ekstremin tjetër, pra me rritjen më të ulët të shpenzimeve mujore për të njëjtën kategori familjeje, ndodhet qarku i Elbasanit ku rritja nominale është vetëm 0.4 %. Në familjet me kryefamiljar me arsim të mesëm vetëm qarku i Shkodrës, Gjirokastrës dhe Tiranës kanë shënuar rritje. Nga ana tjetër, sa i përket familjeve me kryefamiljar me arsim të lartë, shpenzimet mujore në 6 qarqe të vendit u rritën minimalisht me 0.3% dhe maksimalisht me 28%, ndërsa në 6 qarqe të tjera rënia varion nga -3.8% në -23.5%.

Në përfundim të analizës llogaritjet tregojnë se në 12 qarqet e Shqipërisë rritja e shpenzimeve mujore duke përfshirë të treja kategoritë e familjeve është 4.5% në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, mes Tiranës dhe qyteteve bregdetare/ Vetëm tre qarqe me shtesë pozitive, pjesa tjetër po “tkurren”

Postimi mëparshëm

Cilat janë sfidat e bizneseve shqiptare? Anketa e RCC: Largimi i të rinjve të talentuar dhe mungesa e fuqisë punëtore

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.