Sociale

Shqiptarët, më të shëndetshmit në Europë? EUROSTAT: 9 në 10 të rinj në Shqipëri e perceptojnë shëndetin e tyre si shumë të mirë, kryesojmë Europën

0

Të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” tregojnë se Shqipëria është ndër vendet e para në Europë me përqindjen më të lartë të personave të cilët e vlerësojnë gjendjen e tyre shëndetësore si të mirë osë shumë të mirë. Të dhënat i referohen vitit 2020. “Scan Intel” i ka analizuar këto shifra sipas grupmoshave të ndryshme, nga ku del se vendi ynë kryeson Europën me përqindjen më të lartë të të rinjve të cilët e kanë vlerësuar shëndetin e tyre për vitin 2020 si shumë të mirë. Më konkretisht janë 92.2% e të rinjve të grupmoshës 16 deri në 29 vjeç të cilët janë shprehur se e perceptojnë shëndetin e tyre si shumë të mirë. Ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues regjistrohet në 47.1%. Shqipërinë e ndjek në renditje Greqia me 85.9% të të rinjve të cilët e vetë perceptojnë shëndetin e tyre si shumë të mirë dhe Qipro me 79.5%. Në vend të fundit me përqindjen më të ulët të të rinjve të cilët e kanë vlerësuar shëndetin e  tyre si shumë të mirë janë vende si Turqia me 13,2% dhe Letonia me 15.8%. Nga të dhënat e mësipërme ajo që bie më shumë në sy është se Shqipëria ka një përqindje të të rinjve që kanë raportuar shëndet të mirë gati sa dyfishi i mesatares Europiane.

Nëse analizojmë të dhënat për popullsinë mbi 16 vjeç, shohim se Shqipëria përsëri kryeson listën e shteteve me përqindjen më të lartë të personave të cilët janë shprehur se e perceptojnë shëndetin e tyre si shumë të mirë, ose rreth 54%. Shqipëria ndiqet nga Irlanda me 47.2% dhe nga Greqia me 46.5%. Në vend të fundit përsëri gjejmë të renditura shtete si Letonia, Turqia apo Lituania. Por përse kjo përqindje kaq e lartë? Ndoshta ky tregues është i ndikuar nga vetë-perceptimet e gabuara që mund të kenë individë të ndryshëm mbi shëndetin e tyre.

Por si paraqitet ky tregues sa i përket grupmoshës mbi 65 vjeç? Në këtë rast Shqipëria nuk është më ndër vendet e para. Shifrat tregojnë se janë 6.4% e popullsisë mbi 65 vjeç të cilët janë shprehur se shëndeti i tyre është shumë i mirë. Shqipëria renditet  në mes të vendeve të Europës, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 5.6%. Ajo që bie në sy nga të dhënat është se përqindja më e lartë e individëve të moshës së tretë, të cilët e kanë vlerësuar shëndetin e tyre si shumë të mirë  regjistrohet në vende të zhvilluara të Europës si Irlanda, Zvicra, Norevegjia dhe Suedia.

“Scan Intel”, për të patur një analizë sa më të plotë të situatës, ka analizuar edhe përqindjen e popullsisë mbi 16 vjeç e lartë të cilët e perceptojnë shëndetin e tyre si të mirë apo shumë të mirë. Sipas shifrave të vitit 2020, Shqipëria renditet e treta në Europë më përqindjen më të lartë pas Irlandës dhe Zvicrës. Referuar të dhënave, rreth 83% e shqiptarëve e kanë vlerësuar shëndetin e tyre si të mirë ose shumë të mirë për vitin 2020.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Papunësia bie në nivele rekord, por rritet për të rinjtë/ Pranë 10.6% në tremujorin e tretë, ndërsa për të rinjtë ngjitet në 20.5%

Postimi mëparshëm

Borxhi i Jashtëm Bruto shkon në 9.94 mld euro/ Rritet me thuajse 1 mld euro në një vit, arrin në 3560 euro për frymë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.