Tregu i Punës

Papunësia bie në nivele rekord, por rritet për të rinjtë/ Pranë 10.6% në tremujorin e tretë, ndërsa për të rinjtë ngjitet në 20.5%

0

Sipas të dhënave nga “Instituti i Statistikave”, treguesit e punësimit duket se vijojnë me përmirësime edhe përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2022, në krahasim me të njejtën periudhë të një viti më parë. Shifrat zyrtare tregojnë se përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri sa i përket popullsisë 15 vjeç dhe lart regjistrohet në 10.6% nga 11.3% që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2021. Sipas këtyre të dhënave shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,7 pikë përqindje në krahasim me të njejtën periudhë të një viti më parë, dhe po ashtu ka rënë me 0,5 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022. Sipas shifrave, niveli i papunësisë për këtë tremujor regjistrohet më i ulëti krahasuar me tremujorët e dhjetë viteve të fundit.

Nëse treguesit e papunësisë i analizojmë sipas grupmoshave, bie në sy se për grupmoshat e reja është rritur niveli i papunësisë. Të dhënat sinjalizojnë se për grumoshën 15 deri në 29 vjeç niveli i papunësisë është rritur me 0.6 pikë përqindje përgjatë tremujorit të tretë të vitit krahasuar me tremujorin e një viti më parë, pranë 20.5%. Gjithashtu, e njëjta situatë vihet re nëse do ta krahasonim nivelin e papunësisë te moshat e reja me tremujorin paraardhës. Sipas shifrave, niveli i papunësisë për të rinjtë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022 është rritur me 0.3 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 9.9% dhe për gratë 11,3%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e papunësisë është ulur me 1,0 pikë përqindje për burrat dhe me 0,4 pikë përqindje për gratë.

Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për shifrat e punësimit, “Instituti i Statistikave” sinjalizon se përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 65.4%. Ritmi vjetor i ndryshimit të shkallës së punësimit gjatë kësaj periudhe për popullsinë 15 vjeç e lart është pozitiv duke u rritur kështu me 2.8 pikë përqindje. Ky tregues ka pësuar rritje nëse do ta krahasonim me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e dytë të vitit 2022. Po ta analizojmë sipas grupmoshave vihet re se niveli i punësimit për grupmoshën 15-29 vjeç ka pësuar rënie krahasuar me tremujroin e kaluar. Në terma vjetorë kjo grupmoshë ka pësuar rritjen më të ulët. Nëse i referohemi të dhënave sipas gjinisë shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 71.7%, ndërsa për gratë është 59.5%.

Shifrat paraqiten pozitive edhe sa i përket pjesëmarrjes në forcat e punës. Në tremujorin e tretë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç është 73,4 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3,3 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,6 pikë përqindje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pagat janë rritur, por për administratën/ Paga mesatare arrin në 61,613, rriten në shtet, bien në financë dhe komunikacion

Postimi mëparshëm

Shqiptarët, më të shëndetshmit në Europë? EUROSTAT: 9 në 10 të rinj në Shqipëri e perceptojnë shëndetin e tyre si shumë të mirë, kryesojmë Europën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.