Tregu i Punës

Punësimi, 7 qarqe të Shqipërisë me fokus në bujqësi/ Për gratë e Kukësit dhe Dibrës, shkalla zyrtare më e lartë se për burrat

0

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, mbi tregun e punës në Shqipëri për vitin 2023 rezulton se qarqet me shkallë punësimi më të lartë janë Kukësi me 64.5% dhe Berati me 64%, ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë Lezha dhe Dibra me 45.8% dhe 51% respektivisht. Ajo që vihet re në Dibër është se shkalla e punësimit të femrave është më e lartë se ajo e  meshkujve.

Nëse ndalemi të analizojmë të gjitha qarqet rezulton se Durrësi, Shkodra dhe Vlora kanë një shkallë punësimi të konsiderueshme me 61.9%, 59.4% dhe 58.3% respektivisht. Ndërkohë në Tiranë 54.1% e popullsisë është  e punësuar, pjesa më e madhe e tyre janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve.

Qarku i Durrësit ka rreth 32.8 % të të punësuarve të angazhuar në sektorin e e industrisë duke shënuar qarkun me numrin më të madh të punonjësve në këtë sektor, ndërkohë pjesa tjetër janë shpërndarë 48.5 % në sektorin e shërbimeve dhe 18.7 % në sektorin e bujqësisë.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar se në cilët sektorë kemi më shumë të punësuar sipas qarqeve.  Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në 7 nga 12 qarqet e Shqipërisë, pjesa dërrmuese e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë. Në Kukës, bujqësia përbën burimin kryesor të punësimit me 62.4%, ndërsa shërbimet dhe industria zënë vetëm 29.9 % dhe 7.7% përkatësisht . E njëjta situatë paraqitet edhe në Dibër, ku 65% e të punësuarve janë të përqëndruar në bujqësi, ndërsa sektorët e shërbimeve dhe industrisë mbulojnë pjesën tjetër prej 35%.

Në Elbasan, nga ana tjetër, bujqësia është sektori dominues në punësim, duke përfshirë 52.1% të të punësuarve. Në Korçë, 50.6% e punonjësve janë të angazhuar në bujqësi, dhe vetëm 35.1% në shërbime. Në Gjirokastër situata paraqitet më e balancuar me 32.9% të të punësuarve në bujqësi, dhe pjesa tjetër e ndarë midis shërbimeve dhe industrisë. Shkodra ka 42.6% të të punësuarve që kontribuojnë në sektorin e bujqësisë, 38.9% në shërbime dhe 18% në industri. Ndërkohë, në Lezhë, zhvillimi i turizmit e ka orientuar punësimin kryesisht drejt sektorit të shërbimeve.

Pra, sipas analizës konstatojmë se qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës shquhen për dominimin e sektorëve të shërbimeve dhe industrisë, duke krijuar kështu një kontrast të qartë me pjesën tjetër të vendit ku punësimi në bujqësi është ai që zë një peshë të konsiderueshme me rreth 41.6%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

78% e të punësuarve punojnë mbi 40 orë në javë/ Meshkujt, më shumë se femrat. Veçanërisht në ndërtim dhe bujqësi

Postimi mëparshëm

Tekstilet vijojnë të “dënojnë” eksportet/ Ranë me 8.9% në Qershor. Ndikuan negativisht edhe ushqimet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.