Kodi i punës në Republikën e Shqipërisë parashikon 40 orë pune në një jave ku punohet pesë ditë nga 8 orë për ata që punojnë me kohë të plotë. Por të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gati 77% e totalit të punësuarve në Shqipëri punojnë më shumë se orët e përcaktuara në kodin e punës. Nga këto 59.4 % punojnë 40-48 orë në javë, ndërsa 19.3 % punojnë mbi 49 orë në javë.
Nëse analizojmë shifrat e orëve të punës sipas gjinisë, vëmë re se meshkujt janë më të prirur të punojnë jashtë orarit sesa femrat. Përkatësisht 24.2% e meshkujve punojnë mbi 49 orë në javë, ndërkohë përqindja e femrave që i përkasin këtij intervali të orëve të punës është 13.6%.
Orët e larta të punës në Shqipëri mund të lidhen me dy faktorë, së pari puna zhvillohet edhe gjatë fundjavave dhe së dyti niveli i lartë i të vetëpunësuarve. Sipas të dhënave që burojnë nga Anketa e Forcës së Punës, rezulton se në tremujorin e fundit të vitit 2023, të vetëpunësuarit kontribuan në rreth 30% të totalit të punësimit.
“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar se në cilët sektorë punohet më shumë. Shifrat tregojnë se një i punësuar në Shqipëri punon mesatarisht 42 orë në javë por oraret më të gjata janë në sektorin e “Tregti, Transport, Hoteleri, Shërbime të biznesit dhe administrative” ku punojnë 46.6 orë në javë ose 10.9% më shumë se mesatarja. Në ndërtim puna zgjat 45.1 orë gjatë një jave, ndërsa më pak orë në punë kalojnë punonjësit e administratës me 40.3 orë në javë ose 4.05 % më pak se mesatarja.
Por si kanë ndryshuar orët e punës sipas sektorit, gjatë vitit 2022-2023? Shifrat tregojnë se kohëzgjatja në punë u rrit më së shumti për të punësuarit në bujqësi, të cilët shpenzuan 36.4 orë në punë gjatë javës ose 0.5% më shumë se vitin 2022. Industria nxjerrëse ishte sektori i dytë me zgjatjen më të madhe të orëve të punës me 42.9 orë në javë nga 42.7 orë vitin e kaluar. Në të kundërt, në sektorë si prodhimi dhe administrata pati një ulje të orëve të punës me 0.4% dhe 0.2% përkatësisht.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments