Raporte

Shqiptarët dhe puna, paradoksi i “Gallup”/ Shprehen se punojnë më shumë se austriakët, francezët, finlandezët, por duan të ikin!

0

81,396 është numri i orëve që kalon një njeri mesatarisht nga jeta duke punuar. I vetmi aspekt të cilit njeriu i dedikon më tepër kohë sesa punës është gjumi. Nëse shpenzojmë kaq shumë kohë në punë është e rëndësishme të kuptojmë se si shkon aktualisht jeta jonë profesionale, dhe për këtë “Scan Intel” i drejtohet si gjithmonë shifrave. Përgjigjen e jep gjigandi botëror i sondazheve, Gallup, nëpërmjet një ankete mbi 38 shtete europiane, prej ku të pyetur janë vetë punonjësit. Por, si renditet Shqipëria dhe si janë përgjigjur punëmarrësit sa i përket klimës apo emocioneve negative në vendet e tyre të punës krahasuar me vendet e tjera europiane?

Kështu, Shqipëria renditet e 7-a në Europë nga 38 shtete të marra në analizë gjithsej sa i përket aktivizimit në punë gjatë gjithë ditës, duke lënë pas vende si Austria, Spanja, Franca, Finlanda, Hungaria etj. Me një normë botërore prej 21% dhe një normë mesatare europiane prej 14%, mund të themi se angazhimet e Shqiptarëve me një normë prej 23% janë pozitive. Por, ndërkohë që shqiptarët shprehen se angazhohen mjaftueshëm në punën e tyre, madje edhe më shumë se disa prej vendeve më të zhvilluara europiane, emocionet e tyre në vendin e punës duken relativisht negative. Në këtë pikë, paradoksi paraqitet goxha i lartë, ndaj ne kemi vijuar me analizojmë e situatës së mësipërme nëpërmjet shifrave në vijim.

Kështu, nëse punonjësit në Shqipëri shprehen se janë mjaftueshëm të angazhuar në profesionet e tyre, atëhere ku “ngec” puna? Analiza e Gallup tregon se vetëm 31% e shqiptarëve ndjehen se janë duke bërë gjërat e duhura në momentin që flasim, ndërkohë që 45% e tyre ndjehen të stresuar në vendin e punës, madje duke u renditur të 9-ët në listë si më të stresuarit. Në kontrast me gjetjet e angazhimit në punë, austriakët, spanjollët, finlandezët, francezët apo hungarezët që shpreheshin se “punojnë” më pak se shqiptarët, janë edhe më pak të stresuar. Duket se më pak të sfiduarit sa i përket stresit në punë janë danezët, të cilët renditen të fundit në listë. Analiza na jep më tëpër të dhëna edhe sa i përket mërzitjes në vendin e punës, prej nga Shqipëria renditet përkatësisht e 13-a në listë. Skenari duket jo shumë premtues dhe sa i përket mundësive për të gjetur një vend pune në këto kohë, nga ku Shqipëria renditet e 30-a nga 38 vende gjithsej. Dhe padyshim që më të lehtë sa i përket kësaj çështje e kanë sërish danezët, të cilët renditen për të disatën herë të parët në listë. A ka ndonjë pikë të listes në të cilën Shqiptarët kryesojnë? Fatkeqësisht, i vetmi aspekt në të cilën vendi ynë renditet shumë pranë kreut është dëshira e punonjësve që përgjatë 12 muajve në vijim të largohen nga vendi, qyteti apo zona ku banojnë duke u renditur të dytët në listë pas shqiptarëve të Kosovës.

Së fundmi, le të largohemi pak nga Shqipëria dhe ti hedhim një sy situatës së punonjësve në botë gjithmonë sipas Gallup, nga ku zbulojnë se vetëm 21% e tyre qëndrojnë aktivë në ambjentet e tyre të punës, ndërkohë që 60% e njerëzve janë emocionalisht të palidhur me të, pra të pakënaqur dhe 19% ndjehen të mjerë në këto vende. Theksojmë se ky publikim është i 10-i në radhë sa i përket angazhimit të punonjësve dhe merr në analizë rreth 112,312 njësi biznesi, 2,7 milion punonjës dhe rreth 54 industri në mbarë botën. Por, përse për botën statistikat rreth kësaj teme përbëjnë një material të një rëndësie të veçantë? Sepse vetëm angazhimi i ulët i stafit i kushton ekonomisë botërore rreth 7,8 trilionë dollarë dhe sepse matja dhe menaxhimi i angazhimit të punonjësve në vendin e punës është kritik për suksesin e çdo organizate.

Si përfundim mund të themi se të ndjerit emocionalisht mirë dhe aktiv në vendin e punës duhet të konsiderohet jetike për çdo njësi biznesi në Shqipëri dhe jo vetëm, pasi mënyra sesi njerëzit e përjetojnë ngarkesën brenda në punë ka një ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në jetët e tyre jashtë punës, por edhe për ekonominë e vendit në tërësi.




*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Abuzimi i administratës, “industri” më vete/ Dëmi ekonomik, sa paga vjetore e 132 mijë shqiptarëve, ose sa 20% rritje page për çdo punonjës

Postimi mëparshëm

Çmimet pengojnë tregtinë, por jo turistët/ Bie volumi i mallrave me 28.1%, pasagjerët dhe fluturimet me rritje për korrikun

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.