Shqipëria 360°

Shqipëria vazhdon të “tkurret”/ Pandemia, “presion” lindjeve, në Berat, Korçë, Dibër i “frenoi” deri në 22%

0

Të dhënat paraprake të treguesve demografikë për tremujorin e parë të këtij viti pasqyrojnë një situatë jo shumë pozitive sa i përket numrit të lindjeve dhe shtesës natyrore të popullsisë. Shifrat tregojnë se numri i lindjeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 paraqiten me rënie krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, në -4.2%. Rënie vërehet edhe nëse do ta krahasonim me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e katërt të vitit 2021. Gjatë këtij tremujori regjitrohen 6,056 lindje, ndërsa gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021 regjistroheshin 6,939 lindje. Edhe pse numri i vdekjeve paraqitet me rënie këtë filimvit, deri në 22.3%, kjo përsëri nuk ka ndikuar pozitivisht në shtesën natyrore të popullsisë. Shifrat tregojnë se përgjatë tremujorit të parë të vitit 2022 rezultojnë 7.938 vdekje gjithsej dhe nga përllogaritja, shtesa natyrore e popullsisë tregon se janë 1,882 vdekje më shumë se lindje gjatë kësaj periudhe kohore. Ky tregues ka një përkeqësim nëse do ta krahasonim me tremujorin e katërt të vitit që lamë pas, ku shtesa natyrore tregonte 898 vdekje më shumë se lindje.

Nëse do ta analizonim shtesën natyrore sipas qarqeve, vihet re se në tremujorin e parë 2022, dy qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në dhjetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë paraqitet negative. Përgjatë tremujorit të parë 2022, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 203 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 379 vdekje më shumë se sa lindje.

“Scan Intelligence Unit” bazuar po në të dhënat paraprake mbi treguesit demografike për tremujorin e parë të vitit aktual ka analizuar po ashtu ndryshimin vjetor të numrit të lindjeve dhe të vdekjeve sipas qarqeve. Sa i përket numrit të lindjeve, të dhënat tregojnë se nga 12 qarqe vetëm 4 prej tyre kanë pësuar rritje të numrit të tyre, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021. Rritjen më të madhe e ka pësuar qarku i Vlorës, me 7.9%, ndjekur nga ai i Lëzhës me 2%. Tirana dhe Kukësi kanë pësuar rritje të lindjeve me 1.9% dhe 0.5% përkatësisht. Nga ana tjetër, rënien më të madhe të lindjeve e regjistron qarku i Dibrës me 22,0%. Nëse do të flisnim për ndryshimin vjetor të numrit të vdekjeve, të gjitha qarqet paraqiten me rënie, por rënien më të lartë e regjistron qarku i Vlorës me 30.1%. Të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti, sidomos sa i përket lindjeve, reflektojnë kryesisht situatën në vendin tonë në tremujorin e parë të vitit të kaluar, por edhe tremujorit të dytë, kur pandemia kulmoi me raste dhe fatalitete.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Fillimviti më i vështirë prej 1998-ës/ Rritja e çmimeve në 4 muajt e parë, më e larta në 24 vite. Transporti zëvendëson ushqimet

Postimi mëparshëm

Pasuria nëntokësore, bie prodhimi me 21.7%/ Viti i pandemisë, lënda e parë e prodhuar, në rënie me 3 milionë ton

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.