Financë

Shqipëria, në krye të rajonit për investime/ Investimet e huaja në hyrje, të dytët pas Serbisë. Investimet tona jashtë, të parët

0

UNCTAD, organi për tregtinë dhe zhvillimin i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka publikuar së fundmi raportin e investimeve për vitin 2023, ku në analizë merren pjesa më e madhe e vendeve të globit. `Scan Intel` i ka analizuar shifrat në kontekstin rajonal, mes 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova mungon në këtë raport, duke qenë se nuk është vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sa i përket Investimeve të Huaja Direkte në hyrje në vendin tonë gjatë 2022-shit, shifrat sinjalizojnë se Shqipëria është e dyta në rajon, me 1.4 miliardë dollarë investime. Ky fluks investimesh në harkun e një viti na vendos në rajon vetëm pas Serbisë, që regjistroi 4.6 miliardë dollarë investime të huaja direkte gjatë vitit të kaluar. Pas Shqipërisë në renditje ndjek Mali i Zi, me 877 milionë dollarë investime, Maqedonia e Veriut, me 794 milionë dollarë dhe në vend të fundit Bosnje Hercegovina, me vetëm 661 milionë dollarë investime.

Por në rast se shifrat do t`i analizonim pak më ndryshe dhe më drejtë, në raport me madhësinë e ekonomisë së secilit vend, shohim se renditja ndryshon në rajon, edhe pse Shqipëria mbetet e dyta, por jo pas Serbisë, por pas Malit të Zi. Për këtë të fundit, Investimet e Huaja Direkte për vitin 2022 në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit fiksohen pranë 14%, për Shqipërinë pranë rreth 8%, për Serbinë pranë 7%, për Maqedoninë e Veriut pranë 6% dhe për Bosnje Hercegovinën pranë vetëm 3%, sinjalizojnë shifrat e përpunuara nga Scan Intel.

Por, ajo që bie më së shumti në sy nga raporti dhe nga shifrat është vlera e investimeve të huaja direkte në dalje, pra paratë e investuara nga rezidentë në Shqipëri, jashtë vendit. Kjo shifër për vitin 2022 fiksohet pranë 163 milionë dollarëve, duke na vendosur në vend të parë në rajon. Pas nesh ndjek Serbia, me 112 milionë dollarë, Maqedonia e Veriut me 88 milionë dollarë, Mali i Zi me 53 milionë dollarë dhe Bosnje Hercegovina, me vetëm 43 milionë dollarë.

Edhe në niveli stoku total të Investimeve të Huaja Direkte, pra sasinë e tyre të mbledhur ndër vite dhe ende aktive në vend, renditja mbetet e njëjta për hyrjet, ndërkohë që ndryshon për daljet. Për investimet jashtë si stok në rajon jemi të dytët, pas Serbisë, me thuajse 1 miliard dollarë në total, nga rreth 4.4 miliardë dollarë të Serbisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.3%/ Instituti i Vienës: Projeksione optimiste, por mungesa e fuqisë punëtore, problem

Postimi mëparshëm

1 në 3 persona nuk përballon një vakt me mish/ Eurostat: Renditemi në vend të tretë në Europë me normën më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.