Me laps & letër

Shpenzojmë 570 milionë euro në vit për cigare/ Sa 3.7% e PBB! Llogarisni sa pará dhe ditë jetë keni humbur nga duhanpirja

0

Shqiptarët konsumojnë rreth 570 milionë euro cigare në vit, sinjalizojnë shifrat zyrtare të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Kjo shifër del në pah nga përllogaritja e të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mbi të ardhurat që vijnë nga akicza e duhanit. Shifra prej rreth 570 milionë eurosh që rezulton nga kjo përllogaritje i referohet vitit 2021. Nga ana tjetër, përllogaritjet janë bërë mbi një çmim mesatar të paketës prej 2.5 eurosh.

Kjo shifër përkthehet në rreth 229 milionë paketa cigare të konsumuara në vit, ose rreth 4.6 miliardë fije cigare. Në ditë ndërkohë, konsumohen plot 627 mijë paketa, që përkthehen në rreth 1.6 milionë euro konsum ditor vetëm për cigare në vendin tonë.

Në rast se supozojmë, bazuar edhe në shifrat të tjera zyrtare dhe anketa, se një përdorues i rregullt i duhanit konsumon 1 paketë në ditë, pra rreth 20 cigare, atëherë mund të themi se rreth 35% e popullsisë adulte në vendin tonë është duhanpirëse, pra më shumë se 1/3-ta e popullsisë. Kjo shifër është ndjeshëm mbi mesataren globale, që fiksohet pranë rreth 22%.

Shifra prej rreth 570 milionë eurosh që shqiptarët shpenzojnë në vit vetëm për cigare përkthehet gjithashtu në 3.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë, referuar të dhënave për vitin 2021. Përafërsisht, nëse shqiptarët nuk do të konsumonin për duhan, do të mund t`i rrisnin shpenzimet e tyre për ushqime me plot 20%, bazuar në shifat e konsumit për ushqim sipas Institutit të Statistikave.

Bazuar në studime të ndryshme shkencore se një fije cigare të shkurton jetën mesatarisht me 11 minuta, atëherë mund të themi se në total, shqiptarët humbasin çdo vit rreth 35 milionë ditë jetë, ose rreth 95 mijë vite jetë si pasojë e duhanpirjes.

“Scan Intel” ka përgatitur një kalkulator mbi duhanpirjen, ku gjithësecili mund të llogarisë sa para dhe sa vite jetë ka humbur nga ky ves gjatë jetës së tij.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Talentet, si renditet Shqipëria? Indeksi global, jemi mirë me aftësitë e tyre, por të paaftë t`i mbajmë dhe tërheqim

Postimi mëparshëm

Besimi në ekonomi zbret në nivelet e pandemisë/ Përkeqësohen thuajse të gjithë treguesit. Besimi i konsumatorit, indikatori më i dobët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.