Ekonomi

Besimi në ekonomi zbret në nivelet e pandemisë/ Përkeqësohen thuajse të gjithë treguesit. Besimi i konsumatorit, indikatori më i dobët

0

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike për muajin tetor ka rënë ndjeshëm, me rreth 2 pikë, çka tregon se besimi në ekonomi ka arritur nivelet më të ulta në thuajse dy vite, duke prekur minimumin gjatë këtij viti, pra gjatë krizës së çmimeve, si dhe duke u luhatur pranë niveleve të fillimvitit 2020, kur vendi prekej nga një tjetër krizë e rëndë, pandemia.

Kështu, shifrat e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet Vrojtimit të Besimit Konsumator dhe të Biznesit (VBBK) sinjalizojnë se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) gjatë tetorit ka zbritur pranë 99.9 pikëve, që tregon se është pranë por më poshtë se mesatarja historike afat-gjatë, të paktën që prej vitit 2016 që është edhe periudha bazë të cilës i referohet Banka e Shqipërisë. Institucioni sqaron në vrojtim se ky përkeqësim i treguesit që mat besimin në ekonomi ka ardhur kryesisht si pasojë e përkeqësimit të nën-indikatorëve që masin besimin në ndërtim, industri, shërbime dhe tregti. Vetëm besimi i konusmatorit duket në përmirësim të lehtë krahasuar me muajin shtator të këtij viti.

Por, nëse shohim vetëm shifrat, vëmë re se besimi i konsumatorit, pavarësisht përmirësimit të lehtë në tetor, krahasuar me shtatorin, është nën-indikatori me impaktin më negativ në treguesin e përgjithshëm. Besimi i konsumatorit në ekonomi vlerësohet me -35 pikë gjatë tetorit, pikëzim që cilësohet si shumë i pakënaqshëm nga vetë Banka e Shqipërisë. Të 4 nën-indikatorët e tjerë ndërkohë vlerësohen me pikëzim të kënaqshëm.

Nën indikatori i besimit në industri ra me 4.8 pikë gjatë tetorit, kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit dhe kontratave porositëse. Treguesi i besimit në ndërtim regjistron një rënie me 7.2 pikë gjatë tetorit, duke u përkeqësuar për të dytin muaj me radhë. Sa i përket shërbimeve, treguesi ka rënë më lehtë, me vetëm 1.1 pikë gjatë tetorit, kryesisht si pasojë e performancës së dobët të treguesve për ecurinë e biznesit. Nga ana tjetër, shërbimet vlerësojne rritje të punësimit aktualisht, por rënie në të ardhmen. Besimi në tregti ka rënë gjithashtu, me 2.6 pikë krahasuar me shtatorin. Në drejtim të konsumatorit, treguesi është përmirësuar me 0.6 pikë krahasuar me muajin pararendës, por siç e evidentuam më herët, vijon të jetë treguesi me rezultatin më negativ mes komponentëve të indikatorit TNE mbi besimin në ekonomi.

Ndërkohë që besimi konsumator është performuesi më i keq i indikatorit TNE, performuesi më i mirë duket të jetë sektori i shërbimeve, që qëndron mbi të tjerët, dhe në territor pozitiv, duke grumbulluar 9 pikë për tetorin. Tregtia është treguesi tjetër i vetëm në territor pozitiv.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shpenzojmë 570 milionë euro në vit për cigare/ Sa 3.7% e PBB! Llogarisni sa pará dhe ditë jetë keni humbur nga duhanpirja

Postimi mëparshëm

Profili i një familje mesatare shqiptare/ Me 4 anëtarë, jeton në shtëpi private, me prona, 84 mijë lekë shpenzime në muaj, kryefamiljarin të paarsimuar, “mbahet” nga paga

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.